Nga Mirela Kumbaro
Më në fund! Ka një rrugë në Përmet që e lidh Qytetin e trëndafilave me Juglindjen e Shqipërisë, Kolonjën dhe më tej Korçën, por edhe me një pikëtakimi me fqinjin tonë jugor Greqinë. Ky aks njihet nga përmetarët si rruga e Çarshovës që shkon drejt Greqisë deri në pikën doganore që quhet Tri Urat. Është një nga rrugët më piktoreske që, duke u mbajtur shpesh për dore me lumin Vjosë, të shpie drejt malit të Gramozit, dredhon përmes pyjeve deri në Leskovik, më pas ti mund të ndalosh në Ersekë dhe pastaj në Korçë. E vërteta është që rruga nuk është e mirë, madje është mjaft e lodhur aq sa të lodh edhe kur je në timon edhe kur je pasagjer. Kjo i ka dekurajuar jo rrallë turistët që pas Korçës të vijnë në Përmet e në Gjirokastër ose anasjelltas. Jam e bindur që kjo gjë ka përgjysmuar numrin e vizitorëve në të dy anët e kësaj unaze, pa folur për transportin ekonomik e tregëtar. Tashmë kjo i përket së shkuarës.! Ja ku jemi në kantierin e rehabilitimit e plotë të kësaj rruge nisur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zgjerim i dy korsive, mure mbajtës, zgjerim i urave, rinovim i tabanit dhe asfaltim e sinjalistikë e re. Ndërsa do të lidhet kjo rrugë me anën tjetër të projektit të rrugës Ersekë-Leskovik, për të bashkuar jo thjesht Korçën me Përmetin por Korçën me Gjirokastrën. Do të shihemi një vit më pas kur lodhja nga gropat e rruga e keqe do t’i lerë vendin kënaqësisë së udhëtimit. Deri atëhere ne do të vazhdojmë punën edhe me besimin se do ta kemi mundur edhe flamën që të mund të udhëtojmë lirisht.