Finalizojmë programin e ujit për çdo parcelë qysh vitin e ardhshëm, rrisim me 232 milionë dollarë financimet për bujqësinë
Kandidatja e PS për Qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro, ka zhvilluar takime me banorët e fshatrave Badëlonjë dhe Kaludh në Përmet, të cilëve u ka kërkuar të votojnë për PS-në më 25 qershor për të vijuar rrugën e reformave dhe sidomos mbështjetjen për fshatrat, me më shumë financime për bujqësinë e për të vijuar rilindjen rurale.
Në Badëlonjë, Kumbaro theksoi se për fshatin nuk është bërë kurrë kaq shumë nga asnjë qeveri, ndaj vota e 25 qershorit duhet të jetë një votë për të gjithë përmetarët dhe Përmetin duke zgjedhur vetëm numrin 2.
“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë kush ka bërë për Përmetin në këto katër vite dhe a është bërë ndonjëherë më përpara kur ka qenë Partia Demokratike aq sa është bërë në këto katër vite? Nuk ka nevojë të më jepni përgjigjen mua. Bëjeni pyetjen me veten tuaj . Përmetin nuk e kish njeri ne defter për 25 vite, ndaj filluam t’i bëjmë të gjitha dhe të gjitha në 44 muaj nuk bëhen. Por çfarë treguam në 44 muaj? Treguam se ne dimë si të punojmë, si të përdorim paratë e shtetit, paratë tuaja dhe të taksapaguesve dhe prandaj duam votën që të vazhdojmë të ndërtojmë atë që kemi filluar. E duam votën për të gjithë përmetarët”, tha Kumbaro.
Në Kaludh Kumbaro i ashpërsoi tonet ndaj çdo tentative për shitblerje të votës, apo presioneve të ndryshme. Ajo tha se dinjiteti i përmetarëve është më i rëndësishëm sesa një gënjeshtër, ndërsa theksoi se subvencionet nuk janë pronë as e një drejtori, as e një drejtoreshe, as pronë e një deputeti.
“Është shumë e rëndësishme që secili nga ne, secili nga ju, të mos e japë votën pa u menduar, as nën presion, por sidomos nuk duhet ta japë votën duke shitur dinjitetin sepse dinjiteti i përmetarëve është shumë më i rëndësishëm sesa një vend pune që zgjat gjashtë muaj. Dinjiteti i përmetarëve është shumë më i rëndësishëm sesa një gënjeshtër, shumë më i rëndësishëm sesa një lopë e vaksinuar. Problemi më i madh që keni ju është mbështetja e drejtpërdrejt për bujqësinë. Nga vjen mbështetja e subvencioneve? Nuk është pronë as e një drejtori, as një drejtoreshe, nuk është pronë as e një deputeti cilido qoftë ai, nuk është pronë as e kryeministrit të asnjë partie. Subvencionet dalin nga buxheti i shtetit, nga taksat e shqiptarëve të cilat kryeministri Edi Rama vendosi t’i kalojë në mbështetje të bujqësisë. Që do të thotë se ajo mbështetje duhet të kalojë tek të gjithë bujqit, që do të thotë se të gjithë kanë të drejtën të aplikojnë dhe të përfitojnë nga subvencionet”.
Më tej Kumbaro tha se në mandatin e dytë, PS do të finalizojë programin e ujitjes për çdo parcelë si dhe do të rritë me 232 milionë dollarë financimet për bujqësinë ku fermerët do të jenë përfituesit e 20 milionë dollarëve të tjera çdo vit.
“Kemi bërë një llogaritje. Brenda dy viteve të para të mandatit të dytë, zgjidhet përfundimisht gjithë problemi i kanaleve vaditëse dhe kulluese me këtë ritëm që kemi nisur. Nuk kam ardhur këtu t’u kërkoj votën për t’u thënë “Ma jepni votën sot për Partinë Socialiste, se do ta bëjmë nesër”. Kam ardhur për t’u thënë që ne do të japim llogari dhe po japim llogari se si kemi punuar në këto tre vite, si e gjetëm dhe çfarë kemi bërë, cili është vizioni ynë për Përmetin, për fshatrat e Përmetit, për Qarkun e Gjirokastrës”, tha Kumbaro.