Në vijim të një jave dedikuar projekteve ndërkombëtare, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, zhvilloi një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, në kuadër të reformës për modernizimin e sistemit të testimeve dhe vlerësimeve në Shqipëri, përmes krijimit të Agjencisë së Shërbimeve Arsimore.
Ky bashkëpunim me Universitetin e Kembrixhit synon ndërtimin e një sistemi të ri, transparent dhe të besueshëm, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
“Një javë më parë miratuam në Qeveri ligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Bëhet fjalë për reformimin e një prej institucioneve shumë të rëndësishme të Ministrisë së Arsimit që ofron sot sistemet e testimeve kombëtare e ndërkombëtare dhe provimeve për profesionet e rregulluara siç është profesioni i mësuesit, i psikologut, i infermierëve, fizioterapistëve e të gjitha me radhë. Është shumë e rëndësishme që në kontekstin e krijimit të kësaj agjencie të re, me platforma të reja dhe sisteme të reja digjitale, të kemi standardet më të larta të mundshme, krahas partnerëve tanë në Europë”, tha ministrja Kumbaro.
Reforma po mbështetet nga ekspertiza e Universiteti i Kembrixhit dhe partneriteti me Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi bashkëkohor.









