Jo vetëm Udinese, edhe Espanyol vihet në lëvizje për Marash Kumbullën. Mbrojtësi kuqezi, kartoni i të cilit zotërohet nga Roma, është në formë huazimi te Mallorca, por e ardhmja e tij mbetet e paqartë, kjo pasi Kumbulla po has vështirësi për të gjetur hapësira. Në këtë sezon, Kumbulla është aktivizuar vetëm në 9 ndeshje, por në çdo rast fjalën e fundit në lidhje me të ardhmen e tij e ka Mallorca, të paktën në këtë sesion të merkatos.
Kujtojmë që Kumbulla u transferua te Mallorca në formë huazimi me të drejtë blerje në fund të sezonit për 8 milionë euro, por klubi spanjoll nuk ka ndërmend të aktivizojë të drejtën për të blerë kartonin e tij.

Sky Sport shkruan se Kumbulla është kthyer në një objektiv të Udineses në këtë merkato dimri dhe për momentin klubi bardhezi shihet si opsioni më i mirë pasi Mallorca do të preferonte që Kumbulla të mos shkonte te një rival i tyre direkt për mbijetesë, siç është Espanyol. Edhe Roma do të ishte dakord që Kumbulla të rikthehej në Serie A, me shpresën që të zgjohej interesimi për të.







