Në librin e tij të fundit “Pabesia e një ambasadori në Tiranë”, autori i tij, gazetari Xhovani Shyti, ndër të tjera, zbulon edhe komplotin, ku ishte i përfshirë Tritan Shehu, në atë kohë kryetar i PD-së dhe president i firmës partiake “Shqiponja”, e cila, sipas mediave të huaja presticioze, që citonin burime të shërbimeve të huaja sekrete: Gjatë luftës në Bosnje kishte patur monopolin e eksportimit dhe importimit të naftës, por edhe ishte përdorur për tregtimin e armëve dhe të drogës.
Ja si i përcjell z.Shyti këtë komplot të vlerësuar prej tij si skandali më i rëndë në historinë e marrëdhënieve diplomatike shqiptare.
“ …Në materialin e poseduar përmbaheshin pjesë të bisedave të fshehta të bëra midis kryetarit të Partisë Demokratike shqiptare,Tritan Shehu dhe ambasadorit italian në Shqipëri, Paolo Foresti. Pas dëgjimit të tyre dilje në konkluzionin se nuk kishe të bëje me një intrigë të zakontë ballkanase, të rrjedhur nga dëshira për tu hakmarrë ndaj dikujt, por me një skandal të vërtetë diplomatik. Me një komplot për të cilin shpesh thuhet ”poker spiunësh…Gjithçka i përkiste atij materiali “top sekret” fliste qartë për pabesinë e kryediplomatit italian…Vërtitja e shiritit nga njera bobinëz e magnetofonit tek tjetra e zbulonte këtë të vërtetë, tregonte se bëhej fjalë për një veprimtari antiligjore, që mund të sillte pasoja të renda sociale. Që nuk minonte vetëm aktivitetin humanitar të kryemediatorit ndërkombëtar Franz Vranicky, nga dyshja Foresti-Shehu, por se minimi i këtij aktiviteti mund ta çonte vendin në luftë civile. Mund të kushtonte mijëra viktima të tjera… Ato biseda të fshehta, të regjistruara në fshehtësi dhe mosdijeni të palëve të përgjuara, qenë përpjekje këmbëngulëse për të hedhur në erë misionin humanitar të bashkësisë ndërkombëtare ndaj katastrofës shqiptare që kishte sjellë anarkia e atij viti të mbrapshtë. Ku populli dhe vendi ishin shpënë në katrahurë sociale si pasojë e politikave të mbrapshta qeverisëse nga politikanë por edhe nga diplomat të mbrapshtë…”.
Mirëpo çfarë përmbanin bisedat e fshehta midis dy protagonistëve: ish ambasadorit italian, Paolo Foresti, dhe ish kryetarit të PD-së, Tritan Shehut? (vijon)./citynews









