Vetëm disa orë para se të hapen kutitë e votimeve në Greqi për zgjedhjet e kandidatëve deputetë në parlamentin europian, sondazhet e fundit japin një pasqyrë që për 3 partitë më të mëdha të vendit nuk është aspak e pëlqyeshme.
Partia në fuqi Demokracia e Re përqendron rreth 33% të votave , gati 8 pikë më pak se në zgjedhjet e vjetshme parlamentare dhe në limitin e atyre për PE , pesë vjet më parë.
Gjithashtu edhe partia kryesore e opozitës Syriza pas përçarjeve dhe luftës së brendshme gjatë një viti, ndodhet nën nivelin e zgjedhjeve të vjetshme parlamentare duke përqendruar rreth 16% të votave.
Socialistët e Pasokut gjithashtu nuk japin shenja rimëkëmbje. Por partia që duket se po rrit ndjeshëm fuqinë e saj duket se është e djathta ekstreme Zgjidhja greke duke përqendruar gati 9% të votave.
Vlen të përmendet se në sondazhin e fundit , përqindja e atyre që nuk i konsiderojnë të rëndësishme zgjedhjet europiane është rritur me gati 4.5 % ditët e fundit, fakt që çon në përfundimin se abstenimi do të jetë i lartë.
Konkretisht, pyetjes se sa të rëndësishme janë zgjedhjet evropiane, 43,6% përgjigjen “po aq sa ato parlamentare”, ndërsa 19,5% “pak/fare” apo edhe indiferentë.
Ndërkohë karakteristikë tjetër e këtyre zgjedhjeve është fakti se fushata elektorale të krijonte përshtypjen e zgjedhjeve parlamentare , pasi shumë pak u fol për problemet e BE.
Në media apo në mitingjet elektorale kanë folur duke hedhur kritika ndaj njëri tjetrit më shumë liderët e partive për politikat e brendshme, ndërsa kandidatët për eurodeputetë janë mjaftuar më shumë me mediat sociale.
Pavarësisht të gjitha vlerësimeve pesimiste, pasi një në tre grekë vlerëson se BE do të shpërbëhet pas një ose dy dekadash, janë mbi 70% e qytetarëve që duan një rol më aktiv të saj në shëndetësi dhe mjedis, në mbrojtje dhe në arsim, ndërsa shumica (65%) e duket se janë dakord me zgjerimin e BE-së. me shtetet e reja anëtare