Ligji kundër mediave online apo i njohur ndryshe si paketa ‘anti-shpifje’ është miratuar në Kuvend nga deputetët. Pro kanë votuar 83 deputetë, 13 kundër dhe 4 abstenim. Sot paradite një grup gazetarësh protestuan para Kuvendit për të ndaluar miratimin e këtij ligji. Por mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama nuk u tërhoqën. Ligji i ri i jep fuqi Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe atributet e një gjykate për të vendosur gjoba dhe mbyllje të portaleve në rast të ankesave nga palë të treta. Kundër këtij ligji janë shprehur edhe Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe mbi 30 organizata botërore që mbrojnë lirinë e medias.