Real Madridi i José Mourinhos pëson humbjen e parë në La Liga. “Los Blancos” u mposhtën 1-0 nga Betisi në La Cartuja, në një ndeshje të vendosur vetëm në minutat e fundit.
Pas një pjese të parë pa gola, ku Vinicius dhe Huijsen goditën shtyllën e traversën, Betisi gjen golin e fitores në minutën e 81-të. Parrott shfrytëzon një aksion të mirë dhe dërgon topin në rrjetë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën verdhejeshile.
Real Madridi tenton të reagojë, por fati nuk është me skuadrën e Mourinhos. Carlos Espí shënon me një roveshatë spektakolare, por goli anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje.
Në minutën e 94-t, madrilenët kanë mundësinë e artë për të barazuar. Mbappé merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, por portieri Valles i mohon golin dhe ruan avantazhin e Betisit.
1-0 për Betisin, që ngjitet në kuotën e 9 pikëve dhe barazon Real Madridin në renditje. Një mbrëmje e hidhur për Mourinhon, ndërsa Barcelona tashmë ka mundësinë të marrë e vetme kreun e La Ligës.
Një Jose Mourinho shumë nervoz u pa menjëherë pas ndeshjes, duke e komentuar kështu humbjen e parë në drejtimin e madrilenëve: “Besoj se skuadra zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Ndonjëherë humbet dhe nuk e di pse; ndonjëherë humbet dhe nuk di si ta shpjegosh. Ne ishim shumë dominues, me qendërmbrojtësit tanë në një formë të shkëlqyer, të cilët kontrolluan absolutisht gjithçka. Patëm shumë aksione sulmuese dhe krijuam shumë raste për të shënuar.”, theksoi Mou ndër të tjera.








