Një lajm i keq vjen nga Greqia. Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale nga gazeta Kathimerini në versionin anglisht, duke cituar kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, thuhet: “Greqia është kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë”. Po sipas këtij mesazhi, qëndrimi i Athinës Zyrtare lidhet me çështjen e minoritetit etnik grek në Shqipëri dhe trajtimit të tij.
Mesazhi
“Mitsotakis thotë se Greqia nuk do të mbështesë bisedimet për anëtarësim për Shqipërinë derisa të ketë ndryshime në trajtimin e minoritetit etnik”, shkruan Kathimerini. Deklaratat e tij, Mitsotakis i ka bërë gjatë një konference ku prezantoi objektivat e tij qeverisës. Fokusin në drejtimin e ekzekutivit grek, kreu i qeverisë e vuri te çelja e vendeve të reja të punës dhe rimëkëmbja ekonomike e vendit.
Shqipëria pritet të marrë një vendim përfundimtar lidhur me fatet europiane në mbledhjen e BE të datës 18 tetor në Bruksel. Komisioni Europian rekomandoi në progres-raportin e muajit maj çeljen e negociatave, por liderët e BE nuk arritën në një vendimmarrje. Shumë detyra të parealizuara por edhe kriza politike ndikoi jo pak në rritjen e skepticizmit te disa vende.
Për këtë qëllim blloku 28 anëtarësh shtyu për në muajin tetor vendimin nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të përfitojnë brenda këtij viti çeljen e negociatave apo jo.










