Sot në orën 12:00 do të zhvillohet ceremonia mortore për t’i dhënë lamtumirën e fundit Baba Hekuran Nikollarit. Trupi i pajetë i klerikut të spikatur të bektashinjve do të prehet në Teqenë e Baba Aliut në Alipostivan të Përmetit, një objekt kulti që ai vetë e ringriti nga rrënojat dhe e transformoi në një vend pelegrinazhi për besimtarë nga jugu dhe mbarë Shqipëria.
Në ceremoninë mortore pritet të jenë ta pranishëm kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, përfaqësues të institucioneve publike lokale dhe qindra besimtarë. Baba Hekurani ishte një figurë mjaft popullore për bektashinjtë dhe gjerësisht e respektuar në të gjithë vendin.
Siç mësohet nga ekspertiza mjeko-ligjore, shkaku i vdekjes së tij të papritur në moshën 61-vjeçare lidhet me një arrest kardiak.
Pak para se të ndërronte jetë ai kishte shprehur shqetësim për shëndetin dhe kërkoi ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij në teqe, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte. Baba Hekurani ka pasur edhe në të shkuarën probleme kardiake, madje kishte bërë edhe një ndërhyrje kirurgjikale. ©Argjiroja.net