Roland Bejko ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike në Gjirokastër dhe ka marrë gjithashtu vendim për të mos rikandiduar për një mandat tjetër në zgjedhjet që pritet të zhvillohen pasnesër. Nëse Bejko do të rikandidonte është e sigurt që ai do të rikonfirmohej në krye të PD-së, jo më shumë për merita lidershipi apo performancën e tij, por për shkak të konjukturës dhe krizës prej së cilës PD nuk po gjen dot alternativa të tjera drejtuese.
Zbrazja e Gjirokastrës nga njerëzit, natyrisht që reflektohet edhe në burimet njerëzore në administratë, biznese dhe strukturat drejtuese të subjekteve politike. PD Gjirokastër nuk bën përjashtim nga kriza për të gjetur njerëz që duan t’i qasen politikës aktive. Por megjithatë vendimi i Bejkos për t’u larguar nga drejtimi është sa një fitore aq edhe humbje për PD-në. Le t’i shohim me radhë të dyja anët e medaljes. Një kryetar partie apo funksionar tjetër natyrisht që matet nga performanca, nga rezultati elektoral. Prej vitit 2014 kur erdhi në krye të PD-së, Roland Bejko nuk ka mundur t’i ndryshojë rezultatet e demokratëve.
PD thelloi humbjen në zgjedhjet e vitit 2015 dhe gjithashtu në zgjedhjet e vitit 2017. Bejko ishte një nga kritikët e ashpër të ish-deputetit Genc Ruli dhe drejtuesve të atëhershëm të PD-së në Gjirokastër. Rezultatin e keq të vitit 2013, kur PD mori vetëm një deputet në qark, Bejko ia faturonte Genc Rulit dhe njerëzve me të cilët ai ndante pushtetin. Edhe 4 vjet më vonë, PD mori sërish një deputet. Ndërkohë në zgjedhjet lokale të vitit 2015 de fakto nuk fitoi asnjë nga tre bashkitë e rrethit Gjirokastër.
Dropulli nuk mund ta llogarisësh si bashki të fituar nga PD-ja dhe kandidati i saj ‘kukull’ që shëtiste në makinë me Vangjel Tavon për fushatë. Thënë këto, PD Gjirokastër me drejtues Roland Bejkon nuk njeh fitore nga njëra palë zgjedhje në tjetrën. Natyrisht fatura e humbjeve nuk është vetëm e tij, por ai është i pari që duhet të mbajë përgjegjësi si drejtues i partisë. Largimi i tij pas katër vitesh është një fitore për PD-në sepse krijon premisa që të vijë një kryetar tjetër, i cili mund të ketë rezultat më të mirë sesa Roland Bejko.
Të paktën kjo është logjika në dialektikën e zhvillimeve demokratike, megjithatë mbetet për t’u parë si do të jetë PD Gjirokastër me një drejtues tjetër. Nuk përjashtohet mundësia që kryetari i ri ta çojë PD-në edhe më keq. Largimi i Bejkos nga Gjirokastra është gjithashtu edhe një humbje për PD-në lokale. Pavarësisht rezultatit elektoral në dy palë zgjedhje, Roland Bejko dallonte nga figura të tjera të PD-së në Gjirokastër.
Mbetet një person i artikuluar, që di të komunikojë një tezë apo qëndrim të caktuar politik, di të parashtrojë argumentat përballë medias dhe opinionit publik. Sigurisht që kjo është meritë dhe aftësi e tij. I duhet njohur si e tillë, aq më tepër nëse kthehesh pas në kohë dhe kujton ish-drejtues të PD-së në Gjirokastër, që kanë pasur alergji ndaj medias, që nuk lidhnin dot dy fjalë në publik, nuk shkruanin dot dy radhë status në Facebook apo le më pastaj kur kërcënonin edhe gazetarë.
Në këtë drejtim ikja e tij nga PD Gjirokastër është një humbje dhe krijon një boshllëk të madh në radhët e opozitës. Përtej këtyre, në shumë raste retorika e Roland Bejkos ishte shumë refraktare dhe të kthente pas në kohën e PD-së së vjetër të viteve ’90. Me këtë ligjërim natyrisht ai dhe PD-ja vetë nuk mund të frymëzojnë dot më. Në shumë raste Bejko fliste me gjuhën e Berishës, edhe pse në fakt do duhej të përfaqësonte një politikë të re. PD-ja që ai mori 4 vjet më parë ishte dhe mbeti e përçarë. Pavarësisht daljeve publike nga halli, si ato çiftet që qëndrojnë bashkë vetëm për hir të fëmijëve, Roland Bejko nuk u mirëprit kurrë nga klani i njerëzve të Genc Rulit, ai klan i cili në vitin 2014 e akuzoi për manipulim të procesit zgjedhor brenda PD-së në garën me Shemsho Lamajn.
Dasitë mes dy grupimeve u reflektuan në zgjedhjet e vitit 2015 dhe në ato të vitit 2017 sidomos, kur njerëz të strukturave të PD-së në Gjirokastër, Libohovë e Dropull bënë fushatë dhe çuan vota tek kandidatët e PS-së. Mbetet për t’u parë se si do të performojë PD Gjirokastër me një kryetar tjetër dhe çfarë rezultati elektoral do të marrë. Fakti që kandidaturat nuk dihen ende, edhe pse jemi një ditë larg procesit zgjedhor, natyrisht që nuk është premisë e mirë për një garë demokratike. Mos u çudisni kur zëvendësuesi i Roland Bejkos të mbërrijë me zarf nga Tirana.
©ArgjiroLajm.net