Një “bomber” dominues, shpesh në futboll kjo e bën diferencën mes një skuadre që lufton për titull dhe asaj që shpreson për një vend në Champions League. Në Serie A, shifrat flasin qartë, ku një javë përpara përfundimit të fazës së parë, janë konfiguruar edhe tre ekipet kryesore që pritet të duelojnë deri në fund për titullin kampion.
Inter, Milan dhe Napoli, janë tre ekipet që kanë diçka më shumë se pjesa tjetër, më saktë kanë sulmues që kanë bërë diferencën. Me 10 gola të shënuar, Lautaro Martinez është golashënuesi më i mirë i Serie A, 14 gola në total këtë sezon. Pikërisht forma e Martinez është reflektuar edhe në tabelën e klasifikimit, ku Inter qëndron në krye. Lautaro ka një mesatare prej 1 gol çdo 118 minuta.
Në vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë ndodhet Pulisic. “Kapiten Amerika” ka shënuar 8 gola këtë sezon në Serie A duke pasur një rol përcaktues edhe në rendimentin e Milan, me “djallin” që ndodhet në vendin e dytë. Në fakt, Pulisic ka një rendiment më të mirë se sa Lautaro pasi ka një mesatare prej 1 goli çdo 87 minuta.
Shifrat nuk gënjejnë edhe kur bëhet fjalë për Napolin. Conte humbi sulmuesin e tij kryesor, Lukakun, por vendin e tij e mori Hojlund dhe danezi nuk zhgënjeu teksa deri më tani ka shënuar 6 gola. Pas një periudhe përshtatje, Hojlund është kthyer në lojtarin kyç të Contes këtë periudhë, falë golave të tij Napoli qëndron në vendin e tretë, dy pikë larg Interit kryesues.
Juventus, Roma, Como etj janë ekipe që nuk pritet të futen në këtë gare treshe për titull, fundja nuk kanë një “bomber”, por mes tyre do të rivalizojnë deri në fund për të siguruar një vend në Champions League.








