Flamuri kombëtar në Gjirokastër nuk është në shtyllën që është ndërtuar për të, por ai ka përfunduar i leckosur në një pishë aty pranë.
Kjo situatë është prej kohësh, por nuk i ka bërë askujt përshtypje. Bashkia e Gjirokastrës që është edhe përgjegjësja për të ruajtur objektet shtetërore nuk ka reaguar përballë një skandali të tillë. Ndërkohë që para 3 vitesh në qendër të Gjirokastrës është vendosur një shtyllë rreth 30 metra e lartë e cila do të shërbente për vendosjen e flamurit kombëtar, ndërsa sot kjo shtyllë është bërë objekt i turistëve të huaj për të treguar se si përdhoset simboli i shtetit brenda territorit të vet.
Sipas protokollit shtetëror, flamuri shqiptar vendoset në hyrje të çdo institucioni publik apo privat. Në rastin konkret, flamuri gjigant, nuk duhej të mungonte as një minutë e jo më të zvarritej rivendosja e tij nga autoritetet bashkiake.
Në bashkinë e Gjirokastrës ka një arsyetim se flamuri është dëmtuar si pasojë e një ere të fortë dhe do të vendoset së shpejti.
“Ne këtë periudhë kemi qenë në një fazë ku i riparojmë dhe i ndërrojmë të gjithë flamujt. Ai flamur tek sheshi mbas një ere të fortë një copë e flamurit u shkëput aty dhe kaloi tek një pemë. Morën dy djem të cilët u lidhën me litarë dhe e hoqën pjesën e flamurit. Është porositur flamuri i ri dhe do të vendoset së shpejti”, u shpreh Fadil Bojo, përgjegjës i punëve publike.
Përgjegjësi i punëve publike u arsyetua se flamuri ka përmasa të mëdha dhe bëhet me porosi. Ndërkohë që para drejtorisë së tij një flamur që mund të gjendet në çdo dyqan është tërësisht i degraduar.