Qeveria Rama njoftoi para pak ditësh miratimin e një projekt ligji për disa shtesa dhe ndryshimi në ligjin e mediave audio vizive.
E njoftuar si nismë për ndryshime dhe shtesa në ligjin ekzistues dhe e paralajmëruar si nismë që do ti jepte fund lajmeve të rreme, me sa duket ka përfunduar si një nismë që në thelb synon asgjësimin e mediave elektronike.
Ajo që bie në sy menjëherë është rregullimi i nenit që flet për reklamat, në të cilin nuk ka asnjë parashikim për reklamat e fshehta. Televizionet shqiptare ndodh rëndom që brenda programit të lajmeve, të përfshijnë në formatin si “lajm”, reklama të mirëfillta të cilat lehtësisht mund të identifikohen si të tilla dhe pa asnjë lidhje me lajmin. Jepen si lajm intervista me qëllime tregtare me biznesmenë dhe punonjës biznesesh, me plane televizive qe synojne ekspozimin e simboleve tregtare, markave apo produkteve të ndryshme, “lajme” për hapje qendrash tregtare etj të ngjashme me këto. Ligji nuk lodhet asfare që të përkufizojë në mënyrë të qartë dhe të dallueshme nga kushdo ndryshimin midis lajmit dhe reklamës. Por këtë harresë për detajet e bën vetëm kur lënda e neneve trajton mediat audiovizive.
Kur “disiplinon” kategoritë e reja të mediave si ato elektronike, atëhere teksti bëhet pedant, i ashpër, shtetëror por edhe klientelist njëkohësisht. Aq sa projekt-ligji duket sikur është shkruar nga pronarë mediash audio-vizive, në kurriz të mediave të tjera, që përfshihen në ligj me qëllimin e vetëm për tu asgjësuar.
Projekt-ligji në një nga nenet e veta, bën titull ekzekutiv gjobën e vendosur nga AMA. Që do të thote ekzekutim i menjëhershëm i detyrimit, sanksionit të vendosur nga AMA, pavarësisht ankimimit të subjektit të ndëshkuar.
Projekt ligji në vrullin që ka përfshirë hartuesit kur kanë nisur të bëjnë shtet mbi mediat elektronike, arrin deri aty sa parashikon që sanksionet e vendosura aty nuk janë të fundit fare. Se teksti lë të kuptohet se do ketë edhe gjoba të vendosura me akte nënligjore, me vendim te këshillit të ministrave për shembul. Apo edhe me vendime të vetë bordit të AMA??? Fundja në konceptin e hartuesit edhe ato akte nëligjore janë.
Parashikimi i ligjit për hapësira të miratimit të sanksioneve administrative me gjobë është parashikim antikushtetues sepse, masat e ndëshkimit vendosen vetëm me ligj. Asnjëherë me akt nënligjor. Dhe për këtë nuk ka nevojë të rrimë me gojën hapur e të presim ringritjen e gjykatës kushtetuese. Gjykata kushtetuese për çështje të tilla ka folur kur ishte ende gjallë. Veç nëse Rama dhe Agaći besojnë se me ringritjen e gjykatës kushtetuese, gjithë vendimet e mëparshme të kësaj gjykate do të bëhen NUL.
Ligji parashikon që vendimi i këshillit të ankesave është titull ekzekutiv. Por duke qenë se nuk është shkruar nga jurist, ose e ka shkruar ndonjë jurist që i shërben Ramës si kamarier, drafti rreket ti vijë vërdalle termit juridik “titull ekzekutiv” dhe e zëvendëson atë me fjali të gjata shpjeguese për fatin e vendimit të këshillit të ankesave. Kur mund të kishin evituar të shkruanin dy paragrafe të një neni të tërë. Mjaftonte të thonin “titull ekzekutiv”
Arsyetimi që bëhet në këto raste ka lidhje me prorcionalitetin.
Kushtetuta parashikon sigurisht që për kundërvajtësit ligji i posaçëm (dhe asnjëherë akti nënligjor), mund të parashikojë masa ndëshkimore.
Por masa duhet të jetë proporcionale. Të ruash parimin e proporcionalitetit do të thotë që të sigurosh dënim të përshtatshëm për çdo shkelje. Por edhe në këtë rast rilimdja duket se i ka rënë për shkurt si edhe shumë herë të tjera. Si në të gjitha rastet e tjera kur fjala “burg” dhe “dënim” përdoret me mendjelehtësi si zëvendësuese e fjalës “shtet”.
Në këtë kuptim qeveritë “Rama” mund të klasifikohen lehtësisht si qeveri që nuk e kanë sensin e masës.
Nga njëra anë lejon reklama të fshehta të televizioneve, nga ana tjetër bën titull ekzekutiv çdo lloj shkelje të mediave online.
Barazia në raport me shkeljen është parim tjetër kushtetues.
Por me sa duket, pasi mbylli të gjitha gjykatat, Rama e vetmja masë që po merr është që të arkëtoje gjobat.
Aktualisht shtetasit, personat juridik dhe të gjithë shqiptarët po përballen me kufizimin faktik të të drejtës kushtetuese të aksesit në gjykata, për shkak se s’ka gjykata. Ekzistenca e gjykatave nuk zëvendësohet dot me godinat. De fakto të gjithë ndodhemi përpara pamundësisë së aksesit në gjykatë.
Pikërisht tani Rama thotë: gjoba titull ekzekutiv, shko gjeje të drejteën në gjykatë kur të mbushet godina me gjyqtarë.
Sjellja e Ramës në këtë rast është IDENTIKE me sjelljen e Metës.
Edhe Meta tha: un shfuqizoj datën e zgjedhjeve, shkoni gjejeni të drejtën ne gjykatën kushtetuese.
Meta u tall me shqiptarët.
Edhe Rama me shqiptarët po tallet./CNA.al









