Aksioni që zbuloi më shumë se 11 tonë lëndë narkotike në ish-magazinat e rezervave të shtetit në Përmet, dyshohet se është dekonspiruar. Mes të arrestuarve për ngjarjen e ndodhur më 7 prill 2017, nuk është asnjëri prej pronarëve të drogës dhe as kultivuesit e bimës narkotike. Pavarësisht se kapja e sasisë rekord të bimës narkotike është bërë, siç u tha, nga informacione sekrete që kanë mbërritur në zyrat e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, duket se aksioni ka pasur rrjedhje informacioni.
Policia e Përmetit dhe ajo e Gjirokastrës duket se jo vetëm kanë qenë “jashtë loje” gjithë këta muaj, por në momentin kur kanë mësuar se po përgatitej aksioni i kontrollit në magazina, kanë njoftuar edhe organizatorët e këtij aktiviteti kriminal. “Magazinat në fjalë ishin një zonë e ndaluar, jo vetëm për banorët e zonës që nuk janë lejuar të afrohen së paku në tre muajt e fundit, por duket se ashtu kanë qenë edhe për policinë”, tha një burim nga hetimi i çështjes.
Ka dyshime se dekonspirimi i aksionit ka ndodhur në momentet e fundit, pa u dhënë kohë personave përgjegjës që të fshehin lëndën narkotike që kishin grumbulluar. Pas gjetjes së drogës, është marrë vendim për shkarkimin e shefit të komisariatit të Përmetit bashkë me katër vartës, ndërsa ka nisur procedim edhe për drejtorin e Policisë së qarkut Gjirokastër, zv.drejtorin dhe shefin e sektorit të hetimit të trafiqeve. Ky mosveprim i Policisë, në të paktën katër muajt e fundit gjatë të cilëve është grumbulluar droga, dyshohet se ka ardhur si pasojë e bashkëpunimit të individëve të veçantë të Policisë me grupin që ka kultivuar e grumbulluar sasinë e drogës në ishmagazinat e Rezervave të Shtetit në fshatin Pagri të Përmetit.
Aktiviteti kriminal mendohet se ka qenë i mirëorganizuar, ndërsa grupi i hetimit ka marrë dëshmi se magazina e lëndës narkotike ruhej nga persona të armatosur, që nuk lejonin afrimin aty të asnjë banori të zonës. Dyshohet se në magazinën e kanabisit grumbullohej droga e prodhuar në krejt zonën dhe më pas, duke e ndarë në sasi më të vogla, trafikohej sipas kërkesave që grupi kriminal kishte nga blerësit e kanabisit. /Lapsi.al