I rikthyer për herë të dytë te Sivasspor, Rey Manaj tregoi se ka një lidhje të veçantë me këtë klub. Presidenti i klubit turk, Burak Ozçoban, ka folur së fundmi për dashurinë e madhe që sulmuesi kuqezi ka për këtë ekip.
Burak thotë se Manaj dëshiron të mbyllë karrierën te Sivasspor dhe më pas të bëhet trajner i kësaj skuadre.
“Para se të vinte Rei Manaj, më telefonoi dhe më tha: ‘E dua shumë Sivasporin. Është familja ime. Dua të vij’. I thashë se nuk mund t’i ofronim pagë të lartë dhe qëndruam në kontakt.
Kur ia tregova kushtet tona Rei Manajt, ai tha: ‘Ky është një projekt për mua, dua të tërhiqem nga futbolli te Sivaspor. Dua të jem trajner te Sivaspori në të ardhmen’. Rei Manaj është një mik që e do Sivasporin. Ne i mbajtëm të gjitha premtimet që i bëmë, dhe ai i ka mbajtur premtimet që na bëri. Ai po punon dhe po i ndihmon shokët e tij”, u shpreh presidenti i Sivasporit.









