Ndërkohë që është publikuar marrëveshja Rama-Basha për zgjidhjen e krizës, deri më tani nuk ka një reagim nga Lëvizja Socialiste për Integrim, partia aleate e Edi Ramës në qeveri prej 4 vitesh.
Sipas marrëveshjes Rama-Basha, një prej ministrave të LSI-së dhe kryetari i kësaj force politike, do të lerë postin. Është fjala për Petrit Vasilin, i cili mori drejtimin e LSI-së pasi Ilir Meta u zgjodh në postin e Presidentit të Republikës.
Bashkë me Vasilin sipas kësaj marrëveshje shkarkohen edhe disa drejtorë të rëndësishëm të LSI-së. Duket se kjo marrëveshje nuk i ka pëlqyer LSI-së, ndonëse ende s’ka një reagim zyrtar prej saj. Partitë që deri më tani nuk ishin regjistruar në KQZ do të kenë mundësi të regjistrohen brenda datës 26 maj, por nuk do të ketë një mundësi për regjistrimin si koalicione.
Rrjedhimisht LSI dhe gjithë partitë e tjera të vogla do të hyjnë vetëm në zgjedhje. Por me këtë sistem zgjedhor ato nuk do të arrijnë të marrin më shumë mandate deputetësh. Nga kjo më e rrezikuar është LSI-ja, e cila u rrit në vitin 2013 me mandate për shkak të koalicionit me PS-në.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë reagimi zyrtar i LSI-së në orën në vijim.