Prezervativët e shpërndarë për atletët në fshatin olimpik të Kortinës, kanë përfunduar plotësisht. Kjo është një tjetër anë e “Milano-Cortina 2026”: Lojërat Dimërore nuk i kanë “ftohur” aspak pasionet e atletëve.
Ka nga ata që, si 24-vjeçarja Sophia Kirkby, yll i sportit të slitimit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditët e fundit ka nisur një lloj “casting”-u në rrjetet sociale për të gjetur një takim gjatë Lojërave. Me Shën Valentinin në prag, takimet romantike janë shtuar, në një mënyrë që organizatorët duket se nuk e kishin parashikuar. Një atlet, duke kërkuar të mbetet anonim, e konfirmoi për gazetën “La Stampa”: “Stoqet u shteruan brenda vetëm tre ditësh. Na kanë premtuar se do të sjellin të tjerë, por kush e di se kur”, rrëfeu olimpisti.
Kështu, në Kortina po përballen me një problem të paparashikuar. Kujtojmë se dy vite më parë, në Lojërat Olimpike Verore “Paris 2024”, sportistëve iu shpërndanë 300 mijë prezervativë (rreth dy në ditë për secilin). Ndërkohë, në fshatrat olimpike, atletët thuhet se duhet të përdorin imagjinatën për të gjetur kohë për intimitet. Në Milano, vizitat në akomodimet e atletëve nga vende të tjera thuhet se janë të ndaluara. Për këtë arsye, dhoma e relaksit është bërë mjaft e preferuar: me drita të zbehta, muzikë dhe, mbi të gjitha, me ndarëse pas të cilave mund të fshihesh për të kaluar një moment qetësie, vetëm apo në shoqëri.
Në Kortina, sërish Sophia Kirkby ka qenë në qendër të vëmendjes: “Po kërkoj një takim për Shën Valentin. Nuk po kërkoj vetëm olimpistë të tjerë për një kafe”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale, duke iu drejtuar edhe fansave. Ndërkohë, mes stërvitjeve dhe ceremonive, kërkimi për shpirtin binjak vazhdon, siç ka rrëfyer 24-vjeçarja amerikane.







