E cilësuar si një nga urat më të bukura në Ballkan, Ura e Matit apo e njohur si Ura e Zogut do t’i nënshtrohet më në fund një ndërhyrjeje emergjente.
Me statusin Monument Kulture, ura historike u dëmtua ndër vite, duke vënë kështu alarmin për miratimin e një projekti që do ta mbante atë në këmbë. Ky projekt teknik i hartuar u miratua në shkurt të këtij viti nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Në atë kohë, Ministria e Kulturës deklaroi se ky projekt ishte fryt i punës së ekspertëve dhe profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.
Në prill të këtij viti, qeveria vendosi që të ndante nga fondi i rezervës vlerën e nevojshme të parave për këtë ndërhyrje duke ngarkuar Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, si dhe atë të Kulturës për të vijuar me procedurat e nevojshme.
Përmes një konkurrimi të hapur për vetëm pak ditë, Ministria e Kulturës ka kërkuar që palët e interesuara për të bërë këtë ndërhyrje emergjente të paraqesin ofertat brenda ditës së enjte (19 tetor) teksa pas shpalljes së ofertës fituese subjektit do ti duhet të kryejë ndërhyrjet në një hark 30 ditor. Fondi në dispozicion është 46 milionë lekë.
Ura e Matit gjendet në Fushë Milot, në të majtë të rrugës së Kombit, lidh të dyja ekstremet e lumit Mat dhe është ndërtuar në vitin 1927. Ka një gjatësi rreth 490 m dhe gjerësi rreth 6.2 m së bashku me trotuaret. Është urë e tipit të varur. Kjo urë aktualisht shërben vetëm për kalimin e këmbësorëve dhe është jashtë përdorimit për mjetet motorike.
E projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë.
E ndërtuar me çimento dhe hekur me një sistem ndoshta nga më të avancuarit për ndërtime urash në atë kohë, ura mban sot statusin e Monumentit të Kulturës dhe ndërhyrja emergjente synon ta shpëtojë nga rreziku i shembjes./Monitor.al