Deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias gjatë takimit me homologen shqiptare Olta Xhaçka se “Greqia nuk është e kënaqur nga marrëveshja shqiptaro-turke për dronët ushtarakë” është shpërndarë me shpejtësi në mediat ndërkombëtare. Britanikja “Ekspress.Uk”, raporton sot lajmin ku vë theksin te shqetësimi grek se një marrëveshje e re mund të rris ndikimin e Ankarasë mbi Athinën, ndërsa citon kryediplomatin grek që deklaroi dje se Turqia nuk kërkon një bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor por një zonë ndikimi shumë larg vlerave evropiane.
SHKRIMI I PLOTE I EKSPRESS:
Greqia ka frikë se një marrëveshje midis Turqisë dhe Shqipërisë mund të rrisë ndikimet e këqija nga Ankaraja kundër Athinës, teksa tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të rriten. Marrëveshja e Turqisë me dronët me Shqipërinë ka zemëruar autoritetet greke. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias tha se nuk ishte i kënaqur nga marrëveshja e bërë me Shqipërinë, një vend anëtar i NATO. Marrëveshja, e nënshkruar javën e kaluar nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe një kompani turke drone, u vlerësua nga presidenti Recep Tayyip Erdogan. Shqipëria bleu tre drone Bayraktar nga kompania turke, të njëjtët të cilët janë përdorur gjerësisht në luftën e Ukrainës. Duke komentuar marrëveshjen në një konferencë të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologen e tij shqiptare Olta Xhaçka, Dendias paralajmëroi forcat revizioniste që “duan që ne të kthehemi në kohë dhe perceptime të tjera dhe të ndikojmë në Ballkanin Perëndimor”.
Ai shtoi: “Qëllimi i tyre nuk është vetëm bashkëpunimi, por krijimi i zonave të ndikimit, të cilat nuk janë as në përputhje me acquis evropiane, as me perspektivën evropiane dhe as me vlerat evropiane”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, CEO i kompanisë turke të dronëve tha: “Ne nënshkruam një kontratë eksporti me Shqipërinë, një vend ku kemi ecur me shekuj dhe ndajmë lidhje të forta historike, kulturore dhe humanitare”.
Turqia dhe Greqia janë të distancuara për një sërë çështjesh, duke përfshirë pretendimet territoriale në Detin Egje dhe të drejtat e eksplorimit të energjisë në Mesdheun lindor. Ata kanë ardhur në prag të luftës tre herë në gjysmë shekullin e kaluar.
Turqia e ka ashpërsuar retorikën në muajt e fundit, me zyrtarë të qeverisë turke që thonë se shkeljet e supozuara nga Athina të traktateve ndërkombëtare e vënë në mosmarrëveshje sovranitetin e disa ishujve grekë. Në fillim të këtij muaji, qeveria greke sulmoi Turqinë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi se do të godiste Athinën me raketa balistike.
“Është e papranueshme dhe universalisht e dënueshme që kërcënimet për një sulm me raketa kundër Greqisë të bëhen nga një vend aleat, një anëtar i NATO-s,” tha zoti Dendias gjatë mbërritjes në Bruksel për një takim të çështjeve të jashtme të Bashkimit Evropian. “Qëndrimi i Koresë së Veriut nuk mund dhe nuk duhet të hyjë në Aleancën e Atlantikut të Veriut,” tha ai.
Reagimet pasojnë vizitën e ministrit grek për Punët e Jashtme, Nikos Dendias në Tiranë. Teksa i kujtoi Xhaçkës dje në konferencë zgjedhjen për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, Dendias tha se Greqia nuk e ka problemin te bashkëpunimi shqiptaro-turk por te revizionizmi turk. 3 ditë më parë, Qeveria shqiptare ka firmosur marrëveshjen me kompaninë turke ‘Bayraktar’ për blerjen e flotës së 3 dronëve luftarakë, ndërsa parashikon që të tjerë dronë do t’i shtohen flotës vitin e ardhshëm. Kryeministri Edi Rama tha se blerja e doneve vjen në një kohë kur siguria globale është e kërcënuar dhe shtoi se këto dronë do të jenë dobiprurëse për sigurinë kombëtare.