Një zhgënjim total, një mbrëmje e gjitha për t’u harruar për Milan, me “djallin” që pësoi një disfatë të hidhur përballë Benfikës në debutimin e tyre në Europa League. Tifozët kuqezi, të cilët ishin të shumtë në numër në “Meazza”, mbi 68 mijë, vërshëllyen ekipin e Amorim. Dy skuadrat nuk i kishin kushtuar shumë rëndësi këtij takimi, duke hedhur në fushë jo titullarët më të rëndësishëm, mbi të gjitha Benfika, por portugezët ishin dominues duke gjetur golin e avantazhit me Lukebakio, me këtë të fundit që mposhti portierin Mike Maignan me një goditje fantastike nga distanca në minutën e 16-të.
Amorim, i pakënaqur me lojën e ekipit të tij, ndërhyri në formacion me fillimin e pjesës së dytë, duke kryer dy zëvendësime të shpejta, por ishte sërish Benfika që dyfishoi shifrat me Kaminskin. Milan bëri shumë pak për tu rikthyer në lojë, asnjë rast i pastër për gol, vetëm 4 gjuajte në kuadrat.
Paraqitja zhgënjyese e Milan në Europa League “pushtoi” faqet e para të mediave italiane: “Milan nuk është. Debuton në Europë mes vërshëllimave”, shkruan La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Stuhi mbi Amorim. Milan fundoset dhe vërshëllehet”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.
Pas ndeshjes, Ruben Amorim, u shfaq dukshëm i shqetësuar: “Nuk krijojmë shumë raste, kur pësojmë gol të parët e kemi shumë të vështirë më pas të reagojmë, çorganizohemi dhe vuajmë shumë. Sigurisht, jemi vetëm në fillim të një rrugëtimi, por duhet të fitojmë ndeshjet, këtë herë nuk ia arritëm, të përqendrohemi te sfida e radhës”, u shpreh Ruben Amorim.






