Trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç, ka dalë në një konferencë për shtyp mesditen e sotme.
Numri një i stolit ka analizuar situatën e ekipit të tij para sfidës me Luftëtarin dhe beson se skaudra do të dalë me pikë të plota nga ky takim.
Rikthimi në Gjirokastër – “Kam punuar për një vit dhe kujtoj vetëm gjërat e bukura dhe jo momentet e vëshitra. Kemi ndërtuar një ekip të mirë dhe bëmë një sezon fantastik. Kam kontakte me lojtarët në formë respekti”.
Ndeshja – “Pres një sfidë të vështirë. Kukësi ka vetëm një objektiv para çdo ndeshjeje, fitoren. Transferta në Gjirokastër nuk bën përjashtim. E dimë se do të jetë e vështirë, por jemi gati”.
Luftëtari – “E njoh, pasi e kam drejtuar vetë. I njoh edhe karakteristikat e lojtarëve, megjithatë asnjë ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Kam studiuar edhe kam pyetur edhe mënyrën se si luan trajneri Hasan Lika. Besoj se do të bëjmë mirë”.
Të rinjtë – “Në këtë fillim sezoni ka rënë më shumë në sy Ethemi, megjithatë ne kemi në ekip lojtarë të rinj si Koldashi, Joti dhe Sadiku që do të kenë shansin e tyre në Kupën e Republikës, pse jo edhe në kampionat”.
Mungesat – “Unë dua që të kem gjithmonë grupin e plotë, por nuk qahem për dëmtimet. Kam besim te lojtarët e tjerë që do futen. Formacioni më i mirë është gjithmonë ai që hedh në fushë”.