Vizita zyrtare e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias në Tiranë është shoqëruar me protesta. Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka zhvilluar sot një tubim para Ministrisë së Jashtme.
Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi dhe përkrahësit e PDIU-së janë përplasur me forcat e rendit, të cilët nuk i kanë lejuar të afrohen pranë portave të Ministrisë së Jashtme.
Protesta e PDIU zhvillohet me moton: ‘“Mos prek Shqipërinë”, “Mos harro Çamërinë”’
Më këtë tubim PDIU thekson se qëllimi i saj është për zgjidhjen e çështjen Çame, heqjen e ligjit të luftës si dhe për çështjen e detit.
Për PDIU 12 miljet detare shqiptare që kërkon të marrë në detin Jon, “Greqia i ka në Prevezë”.
“Do vazhdojmë të protestojmë dhe i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve. S’mund të lejojmë që idjotët e dobishëm të Athinës në Shqipëri dhe eunukët që rrinë në zyrat e shtetit shqiptar të vazhdojnë me devizën e Greqisë dhe Serbisë. Çfarë është e atyre është e atyre, çfarë është e Shqipërisë është e diskutueshme. Boll më kjo s’mund të jetë më kështu”- tha Idrizi.
Shpëtim Idrizi bëri të ditur se sipas të dhënave të tij, policia e shtetit ka shoqëruar 22 protestues çamë, të cilët morën pjesë në tubimin para Ministrisë së Jashtme.
Idrizi e konsideroi veprimin e policisë si një trup, që ruajtën ministrin e Jashtë grek. Idrizi i kërkoi policisë që nëse ka shqiponjën në kokë të shkojnë të kapin ata që djegin flamurin shqiptar në jug. Sipas tij Rama po çon përpara vetëm axhendën greke.
“Është absurdi i një policie që nuk di çfarë bën. E ruajtën ministrin e Jashtëm tani na kanë bllokuar ne, nuk dimë ku të shkojmë. Ky është absurdi i një policie politike.
I them policisë që nëse janë trima dhe kanë shqiponjën në ballë të shkojnë të kapin ata që djegin flamurin në jug.
Kjo është policia që mesa duket e komandon edhe këtë polici Greqia. Hajde të ikim, por nuk dimë nga të ikim.
E ruajtën ministrin që mos e gjuanim ne me fjalë.
Kjo që po ndodh këtu sot është një turp për Ramën. Rama duhet të heqë ligjin e luftës dhe të pranojë gjenocidin mbi çamet. Ne shqiptaret e Çamërisë nuk mund të na thonë që nuk ekzistoni. Rama çon përpara vetëm axhendën greke”.