Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë, ku Shqipëria dhe Izraeli nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunimin e Përgjithshëm, duke zgjeruar më tej partneritetin mes dy vendeve.
Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, kreu i diplomacisë izraelite vlerësoi lidershipin e tij, duke e cilësuar si një nga liderët më të spikatur në botë. Në një reagim në rrjetet sociale, Sa’ar e përshkroi Ramën si një mik të palëkundur të Izraelit, ndërsa vlerësoi qëndrimin e tij kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
“Kryeministri Rama e ka drejtuar Shqipërinë për 13 vite radhazi dhe, sipas mendimit tim, është një nga liderët më të spikatur dhe më të vlerësuar në botë sot. Ai është një zë i qartë dhe i guximshëm në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu, është një mik i palëkundur i Izraelit, i cili na ka qëndruar pranë në kohë të vështira. Ne e vlerësojmë shumë përkushtimin e tij ndaj sigurisë së Izraelit dhe qëndrimin e vendosur kundër antisemitizmit dhe terrorizmit.
Kjo ishte një bisedë e thelluar për forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona, si dhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe në Ballkanin Perëndimor. Faleminderit, Edi, për miqësinë tënde të sinqertë dhe për miqësinë e thellë të Shqipërisë me Izraelin!”, shkroi Gideon Sa’ar në X.









