Në një intervistë në televizionin publik, ERT 1, ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias është shprehur se minoritetit grek në Shqipëri duhet t’i njihet ky status kudo që ai jeton dhe jo vetëm në dy zonat e jugut të vendit, që janë përcaktuar zyrtarisht që në kohën e regjimit komunist.
“E bëra të qartë edhe në OKB dhe u kuptua nga shumë palë, se bie ndesh me të drejtën europiane “reforma” e Hoxhës që minoritet konsiderohesh vetëm nëse ndodhesh në dy zonat e njohura si të tilla, ndërsa po të largohesh nga fshati yt e të shkosh në Tiranë, nuk je më minoritet. Minoriteti duhet të njihet në gjithë shtrirjen e territorit dhe kudo që ata të ndodhen në Shqipëri”. – shprehet Kotzias.
Ndërkohë ministri i jashtëm grek, në një farë mënyrë, ‘kërcënon’ Shqipërinë me mbështetjen e Greqisë për statusin e vendit kandidat për në BE. Kotzias shprehet se kandidatura e vendit tonë u dha pa kushte nga qeveria greke më parë.
“Siç duhet ta dini, Shqipëria është vend kandidat për anëtar i Bashkimit Europian. Për fat të keq, ashtu si dhe për fqinjin tonë verior, Shkupi, këto kandidatura u dhanë pa kushte nga qeveritë e mëparshme greke.” – tha Kotzias ndër të tjera.









