Momente frike janë përjetuar në bordin e avionit që transportonte delegacionin e skuadrës turke të Besiktas drejt Gjeorgjisë, ku ekipi do të përballet me Hapoel Beer Sheva në Europa League.
Avioni u godit nga rrufeja gjatë fluturimit, ndërsa kushtet e vështira atmosferike shkaktuan edhe turbulenca të forta. Për arsye sigurie, piloti u detyrua të ndryshonte itinerarin dhe të ulej në qytetin e Rizes, në Turqi, në vend që të vazhdonte drejt Batumit të Gjeorgjisë.
Sipas televizionit turk TRT Sport, përfaqësues të Besiktas konfirmuan se rrufeja goditi avionin dhe se pasagjerët përjetuan turbulenca të forta.
“Ishte një fluturim shumë i vështirë”, raportuan zyrtarët e klubit.
Në një njoftim zyrtar, Besiktas bëri të ditur se delegacioni do të vijonte udhëtimin drejt destinacionit me rrugë tokësore.
“Avioni që transportonte delegacionin tonë drejt Batumit të Gjeorgjisë, për ndeshjen e UEFA Europa League kundër Hapoel Beer Sheva, u ul në Rize për shkak të kushteve të këqija atmosferike në Batumi. Delegacioni ynë do të udhëtojë drejt Batumit me rrugë tokësore”, thuhej në deklaratën e klubit.
Distanca mes Rizes dhe Batumit është rreth 100 kilometra dhe udhëtimi pritet të zgjasë afërsisht dy orë.
Përballja mes Besiktas dhe Hapoel Beer Sheva ishte zhvendosur më herët nga Stambolli në Batumi, pas shqetësimeve të autoriteteve turke për sigurinë, në sfondin e tensioneve politike dhe protestave lidhur me konfliktin izraelito-palestinez.
UEFA konfirmoi muajin e kaluar se ndeshja e vlefshme për javën e pestë të fazës së ligës në Europa League nuk mund të zhvillohej në Stamboll për arsye sigurie.
Sipas vendimit të UEFA-s, takimi do të luhet në stadiumin e Batumit, në Gjeorgji, të enjten, më 26 nëntor, me praninë e tifozëve. Ora e fillimit mbetet 18:45, sipas orës së Evropës Qendrore.
Kështu, përpara sfidës europiane, skuadra turke u përball me një tjetër incident të papritur, këtë herë gjatë udhëtimit drejt stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja.








