Reshje të dendura shiu janë shënuar gjatë orëve të pasdites së sotme në Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare pranë prefekturës së Gjirokastrës, po monitorohet nga firma kontraktuese aksi Gjirokastër-Tepelenë, më konkretisht vendi i quajtur “Shkalla e zezë” për shkak të rënies së masivëve të dherave. Gjithashtu edhe në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë në afërsi të varrezave publike po mbahet nën vëzhgim “Përroi i Gjokanës”, i cili ka prurje të shumta, por për momentin nuk ka vërshuar në rrugë. Ekziston frika se mos ky përrua del nga shtrati dhe bllokon rrugën. Të tjerë përrenj malorë, ashtu si edhe liqeni i Viroit janë në monitorim edhe nga Bashkia e qytetit të Gjirokastrës, e cila ka angazhuar strukturat e saj për të menaxhuar situatat që mund të krijohen.