Në kulmin e sezonit të aktivitetit bujqësor, nafta pa taksa e premtuar nga qeveria për fermerët po shpërndahet me pikatore. Nga të dhënat e siguruara jozyrtarisht, deri më tani më pak se 25 për qind e fermerëve që kanë aplikuar, janë pajisur me kartat që u mundësojnë tërheqjen e naftës me çmim të përgjysmuar në pikat e karburantit.
Pjesa tjetër, ose janë në pritje të miratimit të aplikimit, ose u është refuzuar për mosplotësim kriteresh.
Aplikimet më të mëdha i zë Qarku i Fierit dhe ai i Elbasanit. Në të dyja këto qarqe, sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Si, numri i aplikimeve deri në datën 10 maj ka qenë rreth 30 mijë. Nga këto aplikime janë rreth 7 mijë të miratuara.
Shifra përbën më pak se 25 për qind të numrit total të aplikantëve dhe rrezikon që e gjithë skema të dështojë. Arsyeja? Muajt mars, prill dhe deri gjysma e qershorit është periudha me aktivitetin më të lartë bujqësor dhe koha kur nevojitet më së shumti karburanti.
Shifra në fjalë konfirmohet tërthorazi edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe.
“Në të gjithë jugun janë fiks 17.825 aplikime, janë përpunuar 5600, nga të cilat për 4100 janë dhënë kartat e naftës dhe 1500 presin miratimin nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural”, thotë ai.
Procesi i shpërndarjes së kartave nuk është uniform në të gjithë vendin. Si shembull, në Lushnje në total janë 6334 aplikime, ku thuajse gjysma e tyre janë nga zona e Divjakës. Por, nëse në të gjithë Lushnjen kanë përfituar 1484 fermerë, vetëm 370 janë nga Bashkia e Divjakës, e njohur si ndër zonat me aktivitetin më të lartë bujqësor në vend.
“Gota po mbushet me gllënjka”, thotë më tej deputeti Braçe.
Nëse nafta nuk u ofrohet në kohën e duhur fermerëve, por në një moment të dytë rrezikon që të përfundojë jo në serbatorët e makinerive bujqësore, por të rishitet me çmim më të lartë.
Vonesat lidhen me procesimin e dokumentacionit, ku burokracitë janë shtuar me kërkesën adresuar fermerëve për të dorëzuar regjistrin e përditësuar të fermës së tyre, ku të jenë të pasqyruara në detaje shpenzimet dhe kostot e tjera të aktivitetit.
“Nuk e di kujt i shkoi në mendje që tamam tani dhe duke e lidhur me dhënien e naftës të kërkonte regjistrin e fermave, por e pashë me sytë e mi se si një proces 3 minuta, zgjatet deri në 12 minuta për çdo bujk”, shkruan Braçe.
Një pjesë e madhe e fermerëve mund të mos përfitojnë fare, jo se nuk plotësojnë kriteret, por sepse më 31 maj u përfundon kontrata punonjësve që po procesojnë kërkesat e tyre për naftën pa taksa.