Rritja e çmimeve të hidrokarbureve në Shqipëri ka shkaktuar reagime të shumta në publik. Një ndër ata që ka reaguar është edhe kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i cili ka shkuar në zonën e Mallakastrës, ku ai tregon se nafta po derdhet “si lumë”.
Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Lapaj shfaqet duke mbushur një bidon me naftë. Ndërsa thekson se nafta po shpërdorohet në ketë zonë, ndërkohë që qytetarët përballen me çmime të larta të karburantit.
Në postim Lapaj akuzon drejtpërdrejt shtetin shqiptar dhe kompaninë Albpetrol për mungesë kontrolli dhe përgjegjësie.
“Nafta lum! Nafta lum, vëlla. Nafta lum këtej nga Mallakastra. Keqmenaxhimi dhe hajdutëria e shtetit shqiptar dhe e Albpetrolit ka bërë që sot ne të paguajmë një nga çmimet më të larta në botë të naftës, ndërkohë që nafta e vendit tonë derdhet në përrenj dhe lumenj si ‘mall pa zot’”, është shprehur Lapaj.
Po ashtu ai rikujton edhe premtimet e bëra në vitin 2013 nga Edi Rama dhe qeveria e tij për ringritjen e industrisë përpunuese të naftës.
“Në vitin 2013, Edi Rama dhe Rilindja erdhën në pushtet me premtimin për të ringritur industrinë përpunuese të naftës. Por pak vite më vonë rezulton se Edi Rama është varrmihësi që hodhi lopatën e fundit të shkatërrimit mbi Rafinerinë e Ballshit, e cila dikur përpunonte rreth 1 milion ton naftë bruto, ndërkohë që sot është e mbushur me panele diellore”, shtoi më tej Lapaj.
Gjithashtu Lapaj propozon si masë të menjëhershme uljen e taksave mbi karburantet, duke argumentuar se në kohë krizash qeveria nuk duhet të rëndojë më tej qytetarët.









