Skënderbeu do ta luajë ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2018 në Gjirokastër, në një transfertë delikate, po të kemi parasysh çka përbën kundërshtarti dhe faktin që bluzinjtë do të kenë mbështetjen e tifozërisë së tyre. Një “restart” në mes të sezonit ka nevojë për një rinisje të mbarë, çka vlen për të dyja skuadrat, edhe pse kanë qasje të kundërt në klasifikimin aktual. Korçarët kryesojnë Superioren dhe synojnë të mos japin shenja tundjeje nga kreu që në Gjirokastër. Këtë trumbeton edhe trajneri Ilir Daja, i cili për mikrofonin e “Supersport” do të shprehej një ditë para ballafaqimit me Luftëtarin: “Është një transfertë e vështirë, sepse Luftëtari pati vazhdimësi në lojë dhe rezultate në fund të vitit që kaloi. Ne synojmë ta nisim aty ku e kemi lënë, pra me fitore. Te skuadra e Gjirokastrës ndihet edhe dora e trajnerit Hasan Lika në ekulibrat e lojës. Vijmë nga një minifazë përgatitore, ku jemi munduar ta futim skuadrën në ritmin e duhur.
Përtej vështirësive, ne do të synojmë maksimumin. Nuk jemi të shqetësuar me formën e futbollistëve. Vetëm ditët e fundit kemi patur një dëmtim të Sahitit. Lojtarët që kanë qenë me virozë besoj se do të jenë gati. Do të luajnë ata që janë përshtatur më mirë me ngarkesat. Sowe do të jetë me grupin, por nuk mund të siguroj se luan nga minuta e parë. Dejvi Bregu dhe Kristal Abazaj? Janë dy lojtarë me cilësi individuale. Nuk mund të them asnjë fjalë më tepër, përveç faktit që janë shumë lojtarë të mirë. Nuk mund të bëj komente të tjera. Merkatoja e janarit? Ne jemi të konsoliduar si grup. Kemi bërë mirë në kampionat dhe në “Europa League”, nuk kemi patur shumë nevojë për përforcime. Janari nuk të jep shumë alternativa. Mbetet për t’u parë nëse kemi bërë ne më mirë në merkaton e verës, apo kundërshtarët tanë tani në janar”.