Nga Albana Allushaj
Vrasja e një nëne javë më parë, tronditi opinionin publik. Ish-bashkëshorti i saj, mesa duket nuk e kapërdiu dot faktin që e ndjera, e denoncoi për dhunën e ushtruar. Një rast i përsëritur ky. Një vendim gjykate e dënoi, por nuk ishte i duhuri. Vetvetiu lind pyetja, ‘’nëse vërtetë Ai/ish burri do të ishte dënuar më shumë a do ta kryente krimin”?.
Jam e bindur se, një vendim gjykate nuk shmang domosdoshmërisht një ngjarje apo një krim, por ndikon padyshim në minimizimin e rasteve. Ky është realiteti ynë dhe këtë duhet ta pranojmë hapur.
Edhe pse ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, ish-bashkëshortja e divorcuar nuk mundi dot të shpëtonte nga hakmarrja primitive e sedra e sëmurë mashkullore ku, gruaja ende trajtohet si pronë private me të cilën mund të bësh çfarë të duash.
Ende meshkujt, burrat, baballarët, vëllezërit kolegët tanë kanë shumë rrugëtim drejt emapncipimit. Ata nuk munden të pranojnë suksesin e femrës sepse në shumicën e rasteve janë posesivë ushtrojnë dhunë, dhunë që përshkallëzohet deri në krim.
Por mbi të gjitha ata nuk pranojnë lirinë e gruas për të zgjedhur dhe zgjidhur fatet e jetës së saj. Mungesa e dialogut, tolerancës dhe kulturës ndikon në marrjen e vendimeve ekstreme.
Gra me sy të mavijosur, te gjymtura, të sakatuara jo pak herë na ka ndodhur të shohim. Vetëm një pjesë ngre zërin e tjetra hesht.
Por edhe aq sa kanë guxuar nuk janë pak. Ajo që denoncohet e publikohet është vetëm maja e ajzebergut e kësaj dukurie kriminale me pasoja fatale deri në marrjen e jetës. E nëse dhuna fizike denoncohet ajo psikologjike mbahet e fshehtë, megjithëse pesha e kësaj të fundit është edhe ajo vrasëse.
Në polici rastet e denoncuara janë ato ku konflikti dhe mosmarrëvshjet kanë kohë që kanë gjeneruar.
Policia nga ana e saj rastet e denoncuara për dhunë në familje i referon në gjykatë e cila lëshon “urdhër mbrojtje” ose “urdhër të menjëhershëm mbrojtje”.
Po ti referohemi shifrave të publikuara këto urdhra nuk janë pak. Po cfarë ndodh në realitet? Sa i mbron një vendim në letër gratë dhe vajzat dhe sa të ekspozuara në të vërtetë janë ato? A është vetëm policia institucioni përgjegjës në rast të cdo denoncimi dhune?
Gati 80 përqind e viktimave jetojnë në të njëjtën çati me dhunuesin, pasi mundësitë financiare për të siguruar një banesë i kanë të pakta dhe gati të pamundura. Në këto kushte të dy palët përditë përballen me problemet e tyre dhe konflikti mbetet i hapur dhe present në cdo moment. “Dhunuesit” dhe e “dhunuara”, ndajnë të njëjtin ambjent.
A mundet që policia të qëndrojë roje ‘pas dere’ të çdo banese ku ka konflikt. Çelsi i zgjidhjes nuk është vetëm polici në derë, në rrugë as në lagje, por edukimi duhet të nis që në barkun e nënës e më pas në kopësht e duke vijuar në të gjitha ciklet.
Ky është një process i pafund edukimi dhe vetedukimi që duhet të kryejnë edukatoret, mësuesit, prindërit dhe padyshim komuniteti. Është një process i gjatë por jetik për të nesërmen. Infrastruktura e nevojshme, që shërben për një mbështetje dhe plotësim të të gjitha nevojave për personat e dhunuar në marrëdhëniet familjare, përfshi këtu asistencë financiare, shërbime mjekësore dhe sociale, egziston, problem mbetet sidomos strehimi afatgjatë.
Nisur nga numri i madh i denoncimeve gratë e kanë vrarë frikën, e kanë nxjerrë atë jashtë mureve të shtëpisë dhe duke e bërë publik. Ata që kemi dështuar në këtë rast, besoj jemi ne të gjithë, shoqëria.
Jemi bërë indiferentë në atë që i ndodh një intelektualeje, një nëne, një shoqeje, komshies, koleges, një bashkëqytetareje, apo cdo femre në përgjithësi. Kthejmë krahët kur njëra prej nesh fyhet, goditet e dhunohet, kur flaket nga puna, etj. Nuk solidarizohemi, kur dikush nga ne dhunohet. Nuk zgjedhim të flasim, por shpenzojmë kohë në kafe duke diskutuar gjëra pa vlerë.
Nuk jemi ngritur kurrë si shoqëri, përveç disa shoqatave. Të gjithë po bëjmë sehir. Padyshim jemi ne ata që po e farkëtojmë dhunën, një pjesë e së cilës është vetë pjesa e jonë. Vetë po e ushqejnë me mosveprim dhe indiferentizëm mjedsin.
Kujtohemi, kur dora makabre godet. Kemi frikë se humbasim benefitet ose statusin tonë në shoqëri që kemi fituar me aq shumë mund në shumicën e rasteve. Mbushim statuset në fb kur krim ndodh. Pas kësaj heshtim në vend që të vlerësojmë çdo element të dhunës fizike, psikologjike, seksuale e ekonomike, kudo që ajo shfaqet në familje apo në shoqëri.
Mjedisin e ngarkuar me problematika nga me të ndryshmet po e favorizojmë dhe e ushqejmë nga indiferentizmi ynë. Mendojmë vetëm nga ‘”pragu e brenda”. Mbyllim sytë e veshët në vend që ta mbështesim njëra-tjetrën e bëhemi spektatorë të asaj që nesër është kërcënim për këdo prej nesh.
Jo pak herë kemi paragjykuar dhe përgojuar edhe vet në mënyrën më cinike, por harrojmë se po gatuajmë fatin tonë të nesërm. Ne jemi fajtorët dhe po ne jemi viktima. Jetojmë në një shoqëri të vetëviktimizuar ku në normë janë kthyer tonet dhe zërat me ngjyrime kërcënuese. Dhuna mbjellë dhunë e kush dhunohet sot, nesër do dhunojë.
/Libohova Online/