Në ndeshjet e luajtura në shtëpi gjatë sezonit 2025/26, Vllaznia ka qenë skuadra absolute dominante në Kategorinë Superiore. Shkodranët kanë grumbulluar 44 pikë në 18 ndeshje si vendas, me 14 fitore, vetëm 2 barazime dhe 2 humbje.1770641741_afelbasanivllaznia
Përveç rezultateve, Vllaznia ka treguar forcë edhe në repartin difensiv, duke pësuar vetëm 10 gola në “Loro Boriçi”, statistika më e mirë e kampionatit në ndeshjet brenda. AF Elbasani renditet skuadra e dytë më e mirë në shtëpi me 36 pikë. Elbasanasit kanë regjistruar 10 fitore, 6 barazime dhe vetëm 2 humbje në fushën e tyre, ndërsa kanë shënuar 23 gola dhe kanë pësuar vetëm 12, duke ruajtur një stabilitet të admirueshëm gjatë gjithë sezonit.
Egnatia ka qenë gjithashtu shumë solide si vendase. Rrogozhinasit kanë marrë 32 pikë në 18 sfida, falë 9 fitoreve dhe vetëm 4 humbjeve. Me 27 gola të shënuar dhe 15 të pësuar, Egnatia ka konfirmuar edhe në shtëpi profilin e një skuadre të balancuar. Surpriza e ndeshjeve brenda mund të konsiderohet Bylis. Ballshiotët kanë grumbulluar 29 pikë në fushën e tyre, me 8 fitore në 18 takime. Edhe pse në renditjen e përgjithshme patën vështirësi, në Ballsh skuadra tregoi një tjetër fytyrë, sidomos në fazën sulmuese ku realizoi 22 gola.
Dinamo e mbylli sezonin me 28 pikë si vendase. Kryeqytetasit regjistruan 7 fitore, 7 barazime dhe vetëm 4 humbje, ndërsa spikati mbrojtja solide me 17 gola të pësuar. Edhe Partizani ruajti një ecuri relativisht pozitive në shtëpi me 26 pikë, megjithëse golavarazhi negativ prej -3 tregon problemet që të kuqtë patën gjatë sezonit. Vora zhvilloi një kampionat të mirë si vendase, duke marrë 25 pikë dhe duke humbur vetëm 5 ndeshje. Skuadra realizoi 23 gola dhe pësoi 17, shifra që tregojnë konkurrueshmërinë e saj në çdo ndeshje. Teuta grumbulloi 23 pikë në fushën e saj, por vazhdoi të vuante në sulm edhe në ndeshjet brenda.
Durrsakët realizuan vetëm 20 gola në 18 takime, ndërsa regjistruan plot 8 barazime, më shumë se çdo skuadër tjetër si vendase. Një statistikë interesante vjen nga Tirana. Bardheblutë, pavarësisht sezonit zhgënjyes, arritën të mbyllnin kampionatin me një seri pozitive në shtëpi, duke fituar pesë ndeshjet e fundit si vendase. Megjithatë, në total morën vetëm 22 pikë, me 8 humbje në 18 ndeshje, çka tregon mungesën e vazhdimësisë gjatë pjesës më të madhe të sezonit. Flamurtari rezultoi skuadra më e dobët në shtëpi. Vlonjatët morën vetëm 19 pikë në 18 ndeshje, me 4 fitore dhe 7 humbje. Edhe pse realizuan 21 gola, problemet në repartin defensiv dhe paqëndrueshmëria në rezultate bënë që të mos arrinin të shfrytëzonin faktor fushën gjatë sezonit.
TAKIMET JASHTË Në ndeshjet jashtë fushe gjatë sezonit 2025/26, AF Elbasani rezulton skuadra më e suksesshme e Kategorisë Superiore. Elbasanasit kanë grumbulluar 26 pikë në transfertë, falë 7 fitoreve, 5 barazimeve dhe 6 humbjeve. Interesant është fakti se ata kanë realizuar dhe pësuar nga 25 gola, duke treguar një stil loje më të hapur jashtë shtëpisë. Pikërisht rezultatet në transfertë ishin një nga armët kryesore të Elbasanit në garën për vendet e para. Pas tyre renditet Egnatia me 25 pikë në ndeshjet jashtë. Rrogozhinasit regjistruan 7 fitore në transfertë, po aq sa Elbasani, megjithatë humbjet e shumta dhe vetëm 15 golat e shënuar ndikuan që të mbeteshin pas në këtë renditje.
Egnatia u mbështet më shumë te organizimi defensiv dhe pragmatizmi në transfertë. Një statistikë interesante vjen nga Tirana, që pavarësisht sezonit të vështirë, ishte ndër skuadrat më të mira jashtë fushe. Bardheblutë grumbulluan 22 pikë në transfertë, me 5 fitore dhe 7 barazime. Tirana realizoi 20 gola larg shtëpisë, më shumë sesa në ndeshjet brenda, çka tregon se skuadra shpesh ndihej më komode në kundërsulm dhe në lojën reaktive. Me të njëjtën kuotë pikësh, 22, e mbylli edhe Partizani. Të kuqtë fituan 6 ndeshje jashtë fushe, por pësuan 27 gola, një nga shifrat më negative mes skuadrave të kreut. Problemet në repartin defensiv ndikuan që Partizani të humbiste shumë pikë në transfertë.
Dinamo grumbulloi 21 pikë jashtë shtëpisë dhe ishte skuadra më e ekuilibruar në këtë aspekt. Kryeqytetasit shënuan dhe pësuan nga 16 gola, duke mbajtur një bilanc perfekt neutral. Dinamo gjithashtu regjistroi 6 barazime, duke treguar stabilitet në ndeshjet larg fushës së vet. Ndërkohë, Vllaznia, edhe pse kryesuese e kampionatit, hasi më shumë vështirësi në transfertë. Shkodranët morën vetëm 19 pikë jashtë shtëpisë, me 4 fitore në 18 ndeshje. Diferenca u bë pikërisht nga dominimi absolut në “Loro Boriçi”, aty ku ndërtuan sezonin e tyre drejt kreut. Teuta gjithashtu grumbulloi 19 pikë jashtë fushe, por vazhdoi të vuante në sulm.
Durrsakët realizuan vetëm 12 gola në 18 transferta, shifra më e ulët e kampionatit në këtë kategori. Flamurtari dhe Vora e mbyllën sezonin me nga 17 pikë në transfertë. Vlonjatët arritën 4 fitore jashtë fushe, ndërsa Vora vuajti shumë në repartin defensiv me 23 gola të pësuar. Skuadra më e dobët jashtë fushe rezultoi Bylis. Ballshiotët morën vetëm 12 pikë në 18 transferta, duke regjistruar vetëm 2 fitore dhe plot 10 humbje. Për më tepër, Bylis kishte edhe mbrojtjen më të dobët jashtë fushe me 33 gola të pësuar, statistikë që ndikoi drejtpërdrejt në renditjen finale të skuadrës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







