Zyra e Përmbarimit në Gjirokastër, me Nr. 157/34/ D. C., bën “Shpallje – Ankandi” në gazeta “Vatra” e datës 30 gusht 1934 dhe sipas procedurave ligjore Shpallja përsëritet dy herë me një vazhdimësi prej 45 ditë dhe ditën e fundit bëhej “shitja e arave” të Hazbi Omarit (debitor) në zbatim të vendimit të gjyqit për interesa të kreditores Gjylo Hoxha e bija e Jonus Çuçit dhe bashkëshorte e Halil Hoxhës, nga Gjirokastra.
Shpallje-Ankandi, për interesa të kreditores Gjylo Hoxha
Ç’kishte ndodhur? Gjylo Hoxha ushtronte “profesionin” huadhënëse me kamate “napolona ari metal” në Gjirokastër dhe njëra nga huadhënëset, që dihet, është ajo e 8 dhjetorit 1932 (me kontratë ligjore) gjirokastritit Hazbi Omarit: i jep hua 116 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë) “napolona ari metal” me kamatë vjetore 12 (dymbëdhjet) për qind, por huamarrësi Hazbi Omari ishte jo korrekt në kthimin e huas dhe kamatës, puna shkoi në gjyq dhe e fitoi Gjylo Hoxha; dhe përfundimisht me noterin publik Vangjel Koça, një nga yjet e publicistikës së viteve ’30, vendimi gjyqësor kalon për zbatim në Zyrën e Përmbarimit Gjirokastër, e cila nxjerr në ankand 46 (dyzet e gjashtë) parcella toke pronë të Hazbi Omarit, me trashëgimi nga Isuf Omari, (babai) nga Gjirokastra. Nxjerrja nëw ankand e 46 parcella toke në interes të kreditores Gjylo Hoxha është një argument domethënës se ato 116 napolona flori ishin një kapital i madh shumë për kohën por edhe për sot.
“Shpallje – Ankandi”, për 46 parcellat tokë bujqësore në katundin Gjergucat të Gjirokastrës, e botuar në Vatrën e 30 gushtit ’36, përfillimi vjen me disa të dhëna për kreditoren Gjulo Hoxha, debitorin Hazbi Omari dhe huadhënien me kamatë: “Duke qënëse debitori original Isuf Omari [babai i Hazbi Omarit]… nuk është kontaktuar në këtë Zyrë dhe të paguante 116 napolona ari metal, bashkë me kamatën e tyre me 12 për qind në vit, që nga data 8-12-1932, … në favor të kreditores Gjylo, bijë e Jonus Çuçit dhe e shoqe e Halil Hoxhës nga Gjirokastra. …
Në bazë të detyrimit në fjalë dhe në mbështetje të rregullores së Kryesisë të Përmbarimit më datë 4-7-1934 mbasi u kryen veprimet e duhura ligjore nxjer dhe shet në ankand 46 pjesë të arave të poshtëshënuara dhe të zotënueme nga debitori Hazbi simbas kopjes së regjistrit kadastral të lëshuara nga Zyra e Hipotekave të Libohovës…” Shpallja e Ankandit, në ¾ e faqes së gazetës, vijon me të dhëna për 46 parcella toke, që dalin për shitje në ankand, si vendndodhja e parcellave, me kë kufizohen ato etj. Dokumenti i shpalljes së ankandit mban autorsinë e përmbaruesit Javer H. Grapshi.
Gjylo, bashkëshorte e Mulla Halit dhe nëna e “princit” EH, në qeverimin e Mbretit Zog I, ushtronte me mjeshtëri huadhënie “monedha flori metali”, me kamatë prej 12 për qind. Gjylo një mesogrua, babaxhane siç shihet e në foto, analfabete, me fëmijëri e bashkëshorte në mjedise familjare ku mbretëronte gjysmëmesjeta me zakone e tradicionalizma të mbrapshta, dhe Gjylo Hoxha bënte ferk për kohën, e dua të besoj se nuk kishte të ngjashmen e vet: kreditore me monedha ari të metalta, ama me kamatë të majme. Pa të ngjashmen e vet jo më në Gjorokastër, por shumë më shumë se atje.