Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro diheshin si kandiatë të sigurt të socialistëve në Gjirokastër edhe para zyrtarizimit të listës nga PS. Surpriza janë emrat e tjerë, ku spikat mjeku okulist Flamur Golemi, i cili renditet i treti në listë.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë angazhim të ri të tij në politikë, ArgjiroLajm.net intervisoi Golemin, në një përpjekje për të mësuar më tepër se përse një mjek lë profesionin e tij për të hyrë në Parlament, aq më tepër po të kemi parasysh se Shqipëria ka më shumë nevojë për mjekë sesa për politikanë.
Lexoni më poshtë intervistën.
Z.Golemi, siç ju jeni në dijeni Shqipëria po përballet me një eksod mjekësh dhe nga ana tjetër në shumë spitale të rretheve ka mungesë të doktorëve specialistë. Përse një mjek si ju braktis profesionin e tij për t’i hyrë politikës?
Kandidimi im për deputet nuk është angazhimi i parë në politikë. Kam kohë që jam pjesë e strukturave të Partisë Socialiste në Gjirokastër dhe kryetar i kësaj force politike. Nuk e quaj aspak braktisje të profesionit, pasi mund t’i rikthehem në çdo kohë. Njësoj si mjekësinë, e shikoj politikën një mekanizëm shumë të mirë për t’i shërbyer qytetarëve, për t’i qëndruar pranë dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre. Kjo është arsyeja që unë i jam futur politikës dhe besoj se kam bërë një zgjedhje të mirë.
Kush ua kërkoi të kandidonit për deputet dhe si e pritët këtë propozim?
Normalisht që ishte një propozim i strukturave të Partisë Socialiste në nivel qëndror e lokal, si dhe i kryetarit Edi Rama, shto këtu besimin e madh të koordinatorit të PS për Gjirokastrën, Bledi Çuçi. Patjetër që e prita shumë mirë, është një vlerësim për mua, një besim që do ta kthejë mbrapsht duke bërë më të mirën për qytetarët e qarkut Gjirokastër. Siç e kam thënë dhe herë tjetër është privilegj të përfaqësoj Gjirokastrën në Kuvendin e Shqipërisë. Të gjithë e dinë që unë jam i lidhur ngushtësisht me këtë qytet, ku jetoj e punoj me familjen. Të njëjtin raport, por me nivel më të lartë përgjegjësie do ta mbaj edhe pas 18 qershorit kur të kem marrë mandatin e deputetit.
Si i vlerësoni kandidatët e tjerë në listën e PS për Gjirokastrën?
Më mirë se kaq besoj s’kishte ku shkonte dhe këtë nuk e them për të qenë politikisht korrekt. Puna flet më mirë se çdo gjë tjetër. Marrim Bledi Çuçin, ministri që çoi përpara me sukses një prej reformave historike në vend siç ishe reforma administrative. Mirela Kumbaro, ministrja që ka bërë një punë të shkëlqyer këto vite, sidomos në qarkun e Gjirokastrës. Kujtoni gjithë projektet restauruese në monumentet e kulturës dhe jo vetëm, që i japin një hov tjetër zhvillimit të turizmit në qarkun tonë. Të jeni të sigurt se këto punë nuk do bëheshin nëse Mirela s’i rrinte te koka. Laert Duraj, një sipërmarrës i suksesshëm në kryeqytet, por i lidhur ngushtë me qarkun tonë, jo vetëm për shkak të origjinës nga Tepelena, por edhe sepse është prezent në jug të vendit me investime dhe projekte të tjera biznesi. Artemisa Dralo një pedagoge e nderuar dhe me kontribute të shumta në PS. Vlerësim natyrisht edhe për mësuesen e Tepelenës, Matilda Çela dhe për mjeken Elvira Pasho në Përmet.
A mendoni se PS do ta ruajë rezultatin e vitit 2013 në qarkun e Gjirokastrës, duke çuar në Kuvend tre mandate deputetësh?
Kjo është një çështje që nuk duhet të shtrohet për diskutim. I kemi të gjitha mundësitë t’i ruajmë ato rezultate, por ne synojmë të rritemi edhe me një mandat tjetër. Kemi një ekip fantastik dhe besoj një bilanc pozitiv, me të cilin do t’i drejtohemi qytetarëve për t’i kërkuar votën. Sidoqoftë s’ka vend për eufori, vota e 18 qershorit do të tregojë dhe jam i bindur se PS ka për të maksimizuar rezultatin në këto zgjedhje. Ne jemi alternativa e vetme që kemi treguar se mund të çojmë përpara reformat dhe integrimin e vendit.
Si e komentoni qëndrimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet?
Natyrisht që nuk është një zhvillim i shëndetshëm për vendin, por në demokraci s’ka mënyrë tjetër për të marrë pushtetin veç përballjes në zgjedhje. Që prej shkurtit PD i ka hyrë një rruge pa krye që synon veç të pengojë vettingun dhe reformën në drejtësi. Edhe pas lëshimeve të mazhorancës me ndërmjetësimin ndërkombëtar, refuzuan të lënë bojkotin dhe të futen në zgjedhje. Ky është një vendim i tyre. Pushtet në tavolinë nuk mund të ketë për asnjë forcë politike.
Nëse zgjidheni deputet i Gjirokastrës, cili do të jetë angazhimi juaj pas 18 qershorit?
Unë do të zgjidhem deputet në 18 qershor, madje edhe me vota atyre që mund të kenë qenë tradicionalisht votues të PD-së apo të partive të tjera. Që prej zyrtarizimit të emrit tim si kandidat, kam marrë me mijëra mesazhe urimi e mbështetje nga qytetarët e gjithë qarkut Gjirokastër, të majtë e të djathtë apo të pa parti fare. Si mjek u kam shërbyer të gjithëve duke u dhëhequr natyrisht nga Betimi i Hipokratit dhe kjo besoj që është një garanci se do t’i shërbej të gjithëve edhe si deputet. Unë nuk do të largohem nga Gjirokastra me zgjedhjen si deputet i qarkut, por do të jem mes Tiranës dhe Gjirokastrës me një nivel më të lartë përgjegjësie për t’i shërbyer të gjithëve, për të qenë në Kuvend zëri i qytetarëve të këtij qarku.
/ArgjiroLajm.net/