Një shqiptar në Greqi është arrestuar pasi ka plagosur me thikë një grua greke. Ngjarja ndodhi në lagjen “Nea Ionia’ në Volos, që u kaplua nga britmat e dhimbjes së gruas së re, raportojnë sot mediat helene. Sipas “Protothema”, në kulmin e një sherri në banesë mes gruas greke dhe shqiptarit, me të cilin ka një fëmijë, ai e ka qëlluar të renë me thikë në shpinë dhe pjesë të tjera të trupit. Shqiptari (gjeneralitetet e të cilit nuk bëhet me dije nga raportimet e medieve greke), pas sulmit, doli nga banesa, hipi në makinën e tij dhe u largua. Por, u arrestua më pas nga policia. Në raportimet e medieve helene, nuk sqarohet nëse autori i plagosjes dhe 27-vjeçarja greke ishin të martuar. E plagosura u transportua në spital me një autoambulancë, iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.








