Një vogëlushe shqiptare ka humbur jetën në ishullin Naksos të Greqisë, duke u mbytur në pishinën e hotelit ku punonte e ëma e saj, në fshatin turistik Mikri Vigla, raportojnë sot mediat greke. Duke mos pasur se ku ta linte, nëna e kishte marrë me vete Katerinën 4-vjeçare, dhe po hekuroste në lavanterinë e hotelit. Siç raporton portali “naxosnews.gr”, në një moment vogëlushja u largua. Kur e ëma e pa se mungonte kishin kaluar 10 minuta. Gruaja nisi të kërkonte vajzën e vet dhe më në fund e gjeti përmbys, pa ndjenja, në pishinën e hotelit. Menjëherë u lajmërua ndihma e shpejtë që mbërriti brenda pak çastesh dhe vogëlushja u dërgua në spitalin e ishullit, por ishte vonë. Policia ka arrestuar pronarin e hotelit, me akuzën se nuk kishte marrë masa sigurie për pishinën. Më herët ishin shoqëruar edhe prindërit e vogëlushes, por shpejt u lanë të lirë. Ngjarja ka shokuar gjithë shoqërinë e ishullit, ku familja shqiptare jetonte prej vitesh.










