Që prej fillimit të kësaj jave në shkollën 9-vjeçare ‘Koti Hoxhi’ në Gjirokastër është vënë në funksionim sistemi i ngrohjes me kaldaja, pas një investimi të kryer nga Bashkia Gjirokastër. Por përveç pranisë së lagështisë në disa klasa, sikundër ArgjiroLajm.net denoncoi dy ditë më parë, ka edhe një shqetësim tjetër të cilin e tregon vetë drejtori i shkollës, Vezir Mamo. Ai thotë se me kaldaja janë pajisur vetëm klasat, por nuk ka ngrohje në korridoret e shkollës. Kjo sipas tij ndikon për keq tek nxënësit, pasi i ekspozon ata ndaj luhatjes së shpeshtë të temperaturës dhe i dëmton shëndetin.
“Do të ishte më mirë që gjithë sistemi i kaldajës të ishte edhe nëpër korridore. Mund të theksoj që vetëm klasat janë pajisur me trupat e kaldajës dhe ky ndryshim i ambientit dhe temperaturës klasë-korridor, pak a shumë ndikon përsëri në prishjen e këtij ekuilibri në shkollë. Besoj së në vazhdimësi mund të bëhet edhe instalimi i korridoreve me trupat përkatës të sistemit ngrohës”, shprehet drejtori Mamo për Televizionin Gjirokastra.
©ArgjiroLajm.net