Ministria e Drejtësisë ka nisur Vetting-un në burgje. Në verifikim do të kalojnë të gjithë punonjësit e policisë që shërbejnë në këto institucione. Bazuar në verifikimin e kryer nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve deri tani rezulton që rreth 130 persona janë me dënime penale.
Sa i përket burgut të Bëncës në Tepelenë, burime të ArgjiroLajm.net thonë se edhe aty ka nisur verifikimi i imtësishëm për të gjithë punonjësit e policisë. Burimet shtojnë më tej se deri më tani janë konstatuar disa punonjës policie me dënime penale, por se sa është numri i tyre, nuk saktësohet ende pasi procesi është në vijim e sipër. Pak kohë më parë në këtë burg u emërua drejtori i ri, Redi Rama, i cili rezultoi fitues nga konkursi i hapur prej Ministrisë së Drejtësisë.
“Në realizim të objektivit për garantimin e integritetit të punonjësve në çdo IEVP, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si masë paraprake do të fillojë procedimin disiplinor ndaj personave që kanë rezultuar me rekorde penale”, thuhet në një njoftim për mediat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.
©ArgjiroLajm.net









