Me anë të një vendimi të marrë ditën e sotme nga ana e Këshillit të Ministrave, tashmë qeveria do të dëmshpërblejë financiarisht punonjësit e policisë, të cilëve u dëmtohet prona për shkak të detyrës.
Në bazë të vendimit të sotëm, qeveria ofron mbështetje financiare deri në 1 milion lekë. Kjo, kur prona e tyre është dëmtuar si pasojë e veprës penale për shkak të detyrës, ose është dëmtuar aksidentalisht gjatë përdorimit për përmbushjen e detyrës zyrtare.
Sipas vendimit, ndihma përfitohet kur rasti i dëmtimit të pronës është kallëzuar në prokurori dhe punonjësi i policisë nuk ka përfituar dëmshpërblim nga ndonjë shoqëri sigurimi.
Vendimi i qeverisë:
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.149, DATË 18.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 33, pika 5, 75, pika 3, të ligjit nr.70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.149, datë 18.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit operacional me grada të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat”, që përmendet në pikën 1 të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Lidhja nr.2, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit pa grada dhe mbështetës”, që përmendet në pikën 5 të vendimit, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2017, të përballohen nga fondet e miratuara në ligjin nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, për politikat e reja të pagave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.