Internimet në kampe në kohën e regjimit komunist ishin një formë tjetër dënimi për ata që nuk u bindeshin urdhrave, përveç pushkatimit me armë.
Në të dhënat historike, të cilat i publikon edhe ish kreu u arkivave në Ministrinë e Brendshëm, Kastriot Dervishi raportohet se kampi i internimit në qytetin e Tepelenës ka qenë ndër të përfolur me nam të keq për mënyrën sesi i trajtonin të internuarit aty.
Madje sipas të dhënave rezulton se për këtë kamp është shkruar edhe në një raport në OKB.
Shkrimi i Kastriot Dervishit
Kampi i Tepelenës në vitet 1949 – 1953, si kamp i internimit të fëmijëve
Nisur nga disa informacione të gabuara e kontradiktore që i janë dhënë publikut nga institucione shtetërore kohët e fondit në lidhje me njërin prej kampeve tela me gjemba, por shkruaj më poshtë disa të dhëna të përgjithshme.
Internimi në kampe tela me gjemba gjatë diktaturës komuniste është vuajtja e dënimit në periudhën 1945 – 1953 në vende të rrethuar me tela me gjemba. Kampet ishin vende të mbyllura, të ruajtura me policë. Në to u sollën familjarët e të dënuarve, arratisurve dhe ushtarakëve dezertorë. Dokumentacioni i trashëguar, sidomos ai vendimmarrës në lidhje me emrat e personave që kanë qenë në këto kampe, për shkak të cilësisë së dobët të administratës së kohës është shumë i pakët.
Fillimisht u ngritën dy kampe: në Berat për banorët e veriut dhe në Krujë për ata nga jugu. Këto dy kampe funksionuan deri në vitin 1949. Këtë vit u bënë disa riorganizime të kampeve. Të internuarit e Beratit u zhvendosën në Tepelenë dhe Porto Palermo. Në Tepelenë erdhi edhe komandanti që kishte qenë në Berat.
Kampi i Tepelenë u identifikua me dy numra, 4 dhe 6. Ai grumbulloi një numër të madh fëmijësh, duke e bërë regjimin komunist krejt origjinal në krejt Lindjen komuniste, pasi asnjë regjim tjetër nuk kishte treguar këtë egërsi ndaj fëmijëve.
Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit tela me gjemba në fund të vitit 1953.
Kampi i Tepelenës fitoi nam të keq në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955. Kampi mbahet mend për trajtimin e keq ndaj të internuarve duke i lënë pa ushqim, duke i përdorur në punë të rënda, duke i lënë të paveshur e në mëshirë të sëmundjeve të shumta.
Duhet shtuar se identifikimi fizik i kampeve të tjera tela me gjemba (Berati, Kamza, Cërriku, etj), apo i kampeve të punës së detyruar të të burgosurve nuk është bërë pothuajse fare.
Kampi i Tepelenës u drejtua nga dy komandantë:
-Bektash Pogaçe nga Kardhiqi i Gjirokastrës, profesioni bujk, arsimi 4 klasë fillore, në vitet 1949 –1952.
-Haki Ibrahimi nga Dhëmblani i Tepelenës, profesioni marangoz, arsimi 6 klasë, në vitet 1952-1953.
Bashkëlidhur një statistikë e kampeve tela me gjemba gjatë vitit 1950. Mund të vihet re me lehtësi prania e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës.