Pas më shumë se 1 viti shkëputjeje nga televizioni, Arbana Osmani është kthyer mbrëmjen e djeshme në ekranin e të gjithëve me ”Dua të të bëj të lumtur”, programin në qendër të të cilit janë historitë e vërteta të njerëzve të thjeshtë të harruar nga koha, por jo vetëm. E tillë është edhe historia e Mejreme Dibrës, njohur nga të gjithë si Noçja, gruas 75-vjeçare me të cilën jeta është treguar e padrejtë.
Zonja simpatike është martuar dy herë, por fatkeqësisht të dy bashkëshortët e saj kanë ndërruar jetë. Sikur të mos mjaftonin këto, gjyshe Noçja humbi edhe vajzën që kishte nga martesa e parë. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, ajo u shkëput nga të gjithë dhe vendosi të jetonte vetëm për plot 17 vjet derisa mori vendimin për t’i kaluar vitet e pleqërisë në shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër. Pikërisht në këtë moment kur kishte humbur shpresat dhe besimin për të qenë e lumtur, ajo u njoh me Qamilin me të cilin ndan të njëjtën dhomë prej 15 vitesh, por mesa duket gjërat mes çiftit simpatik nuk shkojnë gjithmonë mirë.
Kjo është edhe arsyeja pse ajo e ftoi mbrëmë në emision, një histori që krijoji shumë buzëqeshje dhe batuta që u mirëpritën nga publiku i gjerë. Noçja i kërkoi Qamillit, një burrë tipik gjirokastrit, që të tregohet pak më dorëlëshuar kur vjen puna tek dhuratat e saj dhe gjithashtu, ç’ishte më e rëndësishmja që të mos shihte më gra të tjera, sepse ajo bëhej xheloze. Nuk mund të mungonin në fund edhe premtimet e dashurisë dhe përqafimi aq i ëmbël mes të dyve.