Gola, gafa, dhe një befasi e madhe. Viking vë në jetë një nga surprizat e ëmbla në xhiron e dytë në Fazën e Ligës në Champions, me modestët norvegjez që ndalin gjigandët e Bayern, i “rrëmbejnë” një pikë pas barazimit spektakolar 3-3. Ashtu si ndaj Augsburg, edhe në Champions, me apo pa Neuer në portë, Bayern pëson gol që në aksionin e parë, që në goditjen e parë nga këndi pas vetëm 2 minutash lojë. Goli nuk ishte aspak rastësi, me Viking që i kapi sërish “mat” në minutën e 38-të, me Christiansen që finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë.
Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Kompany ndërhyri në formacion duke kryer 3 zëvendësime të menjëhershme, por për të rikthyer Bayern në lojë mendoi i përhershmi Harry Kane. “Bomberi” anglez u tregua fillimisht i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 54-ët, ndërsa në të 60-tën me një goditje të saktë me kokë barazoi shifrat në 2-2. Bayern krijoi iluzionin se do të përmbyste ekipin norvegjez teksa Luis Diaz u shërbye pastër në zonë nga Laimer dhe i pa shqetësuar në shtyllën e dytë dërgoi topin në rrjetë duke kaluar për herë të parë ekipin e tij në avantazh.
Nuk ishte në ditën e tij më të mirë Michael Olise, me fantazistin francez që jo vetëm nuk arriti të linte gjurmë, por në minutën e 73-të u ndëshkua dy herë me karton të verdhë duke lënë ekipin e tij me 10-të lojtarë. Viking përfitoi nga epërsia numerike dhe në minutën e 90-të, Haugen me kokë mposhti portierin Urbig duke i dhuruar një pikë ekipit të tij pas barazimit 3-3.
Për fat të keq, dygolëshi i Harry Kane nuk i mjaftoi Bayern, por sulmuesi anglez pranon verdiktin që dha fusha: “Zhvilluam një pjesë të parë të dobët, ndërsa në të dytën reaguam dhe krijuam shumë raste, por kartoni i kuq ndryshoi gjithçka. Viking u mbrojt mirë dhe na goditi në momentet e duhura. Nuk ka justifikime për këtë. Mendoj se me atë paraqitje që dhuruam në pjesën e dytë duhet ta kishim fituar ndeshjen. Në fund pranojmë barazimin dhe ecim përpara”, u shpreh Harry Kane.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








