84-vjeçari Papa Françesku është në gjendje të mirë shëndetësore, merr frymë pa ndihmë, pas operacionit për të hequr një pjesë të zorrës së trashë, ka thënë Vatikani.
Papa Françesku pritet të qëndrojë në spital për shtatë ditë nëse nuk del ndonjë ndërlikim, pas operacionit të tij prej tre orësh të dielën në mbrëmje nga një ekip kirurgjikal prej 10 personash në spitalin Gemelli në Romë, tha në një deklaratë zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni të hënën.
Papa iu nënshtrua një hemiklektomie të majtë, një procedurë në të cilën hiqet njëra anë e zorrës së trashë. Ishte hera e parë që Vatikani zbuloi natyrën specifike të operacionit.
Deklarata nuk thoshte nëse vendimi për heqjen e një pjese të zorrës së trashë ishte marrë para ose gjatë operacionit.
Operacioni i planifikuar ishte për stenozë divertikulare simptomatike të zorrës së trashë, një gjendje në të cilën ca si qese dalin nga shtresa muskulore e zorrës së trashë, duke e bërë atë të ngushtohet.
Përveç shkaktimit të dhimbjes, gjendja, e cila është më e zakonshme tek njerëzit e moshuar, mund të çojë në fryrje, inflamacion dhe vështirësi në lëvizjen e zorrëve.









