Ivanka Trump e vizitoi Shqipërinë sërish, krijoi zhurmë mediatike, por jo për dëshirën e saj, sa për interesin e lartë.
Ivanka madje, ndryshe nga sa babai i saj shpesh, presidenti amerikan Donald Trump bën, nuk ka as mendjen në ajër, e këmbët më në tokë nga sa kuptohet.
Kjo ishte një vizitë që, ndryshe nga shumë të tjera të këtij niveli, nuk qëndronte si protokollare, as rastësore.
Këtë të enjte ajo është nisur drejt zonës së Zvërnecit, një nga hapësirat me peshë ndër më të veçantat natyrore, turistike dhe simbolike në jug të vendit — dhe një zonë që lidhet drejtpërdrejt me investimin madhor amerikan të paralajmëruar nga Affinity Partners, ku bashkëshorti i Ivankës, Jared Kushner, është pjesë.
Lëvizjet e Ivanka Trump u zhvilluan nën masa të shtuara sigurie, siç janë raportuar hap pas hapi, ndërsa deri në këto çaste nuk ka informacione zyrtare mbi ndalesat apo takimet e saja.
Por, përtej agjendës formale, ajo që bie në sy është mënyra se si kjo vizitë u ndërtua: pa zhurmë të panevojshme, pa spektakël politik dhe pa retorikë boshe.
Mbrëmjen e kaluar, Ivanka Trump, së bashku me një grup arkitektësh ndërkombëtarë, zhvilloi një takim në formën e një darke jozyrtare me kryeministrin Edi Rama në një kompleks në Vlorë.
Në vëmendje ishin investimet strategjike dhe projektet zhvillimore në zonën bregdetare – projekte që, nëse realizohen, mund të ndryshojnë jo vetëm fizionominë e turizmit shqiptar, por edhe mënyrën se si Shqipëria perceptohet nga investitorët globalë të nivelit të lartë.
Gjatë gjithë ditës, Ivanka Trump, siç kuptohet, është shoqëruar edhe nga Musa Kastrati, djali i sipërmarrësit Shefqet Kastratit, partneri shqiptar i familjes Trump. Në Shqipëri flitet prej kohësh se familja Kastrati ka raporte jo vetëm biznesore, por edhe personale me Jared Kushner, Ivanka Trump dhe vetë Presidentin Donald Trump.
Për shkak të këtij ndikimi, Ivanka Trump ka nisur prej kohësh të tregojë interes edhe për vetë vendin, historinë, kulturën.
Më herët, ajo ka publikuar në media sociale libra për historinë e Shqipërisë, si edhe fotografi nga vendi ynë. Ky nuk është detaj i vogël.
Është tregues i seriozitetit të një investitori që i hedh hapat si një vendali, e jo një “pushtues i jashtëm”.
Përpara investimeve madhore, ajo po interesohet për historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar – një qasje që rrallë shihet te investitorë të këtij profili.
E mbi të gjitha, ajo që e bën këtë vizitë edhe më domethënëse është kontrasti mes peshës së emrit që ajo mban dhe thjeshtësisë me të cilën po lëviz në Shqipëri.
Ivanka Trump ka takuar jo vetëm persona me ndikim, por njerëz të thjeshtë, ka ndalur në ambiente jashtë skemave luksoze dhe nuk është fshehur pas protokolleve të ftohta diplomatike.
Kjo krijoi në publik jo vetëm imazhin pozitiv që e ka përqasuar gjithnjë si një mjeshtre të PR-it, por edhe besim.
Në këtë kontekst duhet parë edhe reagimi i Kryeministrit Edi Rama për mungesën e tij në Davos. Ai sqaroi se vendimi erdhi si pasojë e një zgjedhjeje personale dhe institucionale mes dy angazhimeve të rëndësishme: ftesës së Donald Trump dhe pritjes së Ivanka Trump në Shqipëri.
Rama zgjodhi të dytën. Dhe, pavarësisht se si gjykohet politikisht, kjo zgjedhje tregon se vizita e Ivankës nuk është trajtuar si një ndalesë turistike, por si një çast me peshë reale strategjike.
Nëse investimi në Zvërnec realizohet, Shqipëria nuk fiton vetëm kapital. Fiton status, vëmendje dhe një precedent të ri: që vendi mund të jetë destinacion serioz për investime elitare, të menduara dhe afatgjata.
Ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, një investim i madh nuk po vjen me arrogancë, por me kureshtje.
Jo me imponim, por me interes për të kuptuar vendin.
Dhe ky, në vetvete, është një lajm edhe më i madh.
Sepse Ivanka nuk po vjen për të treguar pushtetin. Po vjen për të lënë të kuptohet se Shqipëria nuk do të shihet më thjesht si territor për investim, por si vend që kërkon të kuptohet, përpara se të ndërtohet mbi të./Albania Post









