Vendimi i Kryeministrit Edi Rama për të shkarkuar zëvendësministrin e Brendshëm, Ilir Marko, ka mbetur pezull dhe pa marrë fuqi ligjore.
Ilir Marko mbetet sërish në detyrë si zv.ministër i Brendshëm, edhe pse është shpallur “non grata” nga kreu i qeverisë. Kjo për faktin se Edi Rama ka firmosur dy ditë më parë një urdhër qarkullues për të gjithë ministrat, në të cilin kërkon shkarkimin të zv.ministrit të emëruar nga LSI-ja.
Por ky urdhër qarkullues është firmosur nga 9 ministrat e Partisë Socialiste dhe vetë Rama, kurse pjesa tjetër e kabinetit qeveritar nuk e ka firmosur. Bëhet fjalë për ministrat teknikë të Partisë Demokratike dhe katër ministrat e mbetur të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Në këtë rast “aleanca” e fshehtë mes PD-së dhe LSI-së ka lënë pa fuqi ligjore vendimin e Kryeministrit Rama. Duke qenë se në kabinetin Rama ministrat e Partisë Demokratike dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim janë më shumë se ministrat e PS-së, zëvendësministri i LSI-së ka mbetur në detyrë. Ministrat teknikë të emëruar nga Partia Demokratike kanë vendosur si kusht për të firmosur shkarkimin e zv.ministrit të LSI-së, Ilir Marko, kërkesën për shkarkimin e zv.ministres së Financave, Irena Beqiraj.
Me të njëjtin motivacion të shkarkimit të Ilir Markos edhe zv.kryeministrja kërkon të shkarkohet Beqiraj, duke qenë se Rama nuk pranon shkarkimin e Beqirajt, e cila disa ditë më parë sulmoi zv. kryeministren Ledina Mandija.
Atëherë 6 ministrat teknikë të PD-së dhe zv. kryeministrja nuk e kanë firmosur urdhrin qarkullues të shkarkimit të zv.ministrit të LSI-së.
Ilir Marko u shkarkua të enjten nga kryeministri për shkak se u konfliktua me mesazhe me Saimir Tahirin. Fillimisht, LSI-ja ka denoncuar me emra konkretë rastet e blerjes së votave në qarkun e Tiranës, duke akuzuar se, pas këtyre veprimeve antiligjore, ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri./panorama