Me një paradë unike, Man.City i dhuroi një lamtumirën Pep Guardiola, me klubin që organizoi një ceremoni mirënjohje duke shpalosur 20 trofetë që tekniku spanjoll solli te Man.City në dekadën e fundit, duke ndryshuar totalisht imazhin e “qytetarëve”. Pas kësaj parade lamtumire, ku të pranishëm ishin shumë ikona, madje trajner si Kompany, ish kapiten i dikurshëm, tani në shtëpinë e Man.City është koha të projektojnë të ardhmen, sezonin e ri. Në Angli nuk kanë asnjë dyshim, i përzgjedhuri për të zëvendësuar Pep Guardiola-n është ish asistenti i tij, Enzo Maresca.
Eksperti i merkatos, Fabrizio Romano shkon edhe më tej duke zbuluar se Maresca ka firmosur një kontratë me Man.City deri në vitin 2029, madje prej disa kohësh, Maresca së bashku me drejtuesit e klubit kanë projektuar së bashku edhe sezonin e ri. Tani pritet vetëm komunikata e Man.City për të bërë zyrtare afrimin e Enzo Maresca-s.
Zgjedhja e Maresca-s për të pasuar Guardiola-n, lexohet nga mediat si një lëvizje për t’i dhënë vazhdimësi trashëgimisë së lënë nga Pep Guardiola, pasi Maresca është nxënësi i tij dhe kanë të njëjtën filozofi loje. Sigurisht për teknikun italian nuk do të jetë e lehtë të zëvendësojë një figurë, një personalitet si Pep Guardiola, por pa diskutim zgjedhja e tij është një zgjedhje logjike pasi e njeh ambientin në çdo detaj.







