Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zgjodhi Mallakastër për të dhënë kërcënimin e fortë, se ministrat teknikë janë të gatshëm të heqin edhe 300 drejtorë të tjerë nga puna nëse ata do të përfshihen në fushatën elektorale.
“Në 90 ditë, ne ia dolëm të rrëzojmë projektin e rremë të oligarkisë dhe sot vijmë tek ju me një betejë të fituar nga bashkimi i fituar për demokraci të vërtetë: me gjysmën e kabinetit të republikës së vjetër të ndryshuar, me 7 gardianë të votës së lirë që do të çojnë prapa hekurave këdo që prek votën.
Thonë se kanë ikur 30 drejtorë, por do të ikin dhe 300 të tjerë nëse do të guxojnë të prekin votën e qytetarëve. Koha e zullumqarëve, mashtruesve po merr fund. Po vjen koha e njerëzve të thjeshtë nga Mallakastra dhe gjithë Shqipërisë.
Ju e dini fare mirë se kjo nuk ishte dhuratë, ju e dini fare mirë se çfarë e shtyu republikën e vjetër të dorëzohej dhe të jepte kapitullimin. Askush tjetër veç jush nuk e fitoi këtë betejë,” theksoi Basha.
Ditën e fundit, ministrat teknikë të Bashës, kanë hequr nga puna disa drejtorë të LSI-së, duke i akuzuar ata për përfshirje në fushatë elektorale.
Lidhur me këtë shkarkime, ka pasur edhe qëndrim zyrtar nga LSI-ja, duke i quajtur ato si hakmarrje politike.