Paris Hilton ka folur hapur për kasetën seksuale të vitit 2004, e cila u publikua pa pëlqimin e saj, duke theksuar se ajo që për publikun u etiketua si “skandal”, për të ishte abuzim i pastër.
Të enjten, më 22 janar, Hilton mbajti një fjalim në Capitol Hill, e shoqëruar nga kongresmenet Alexandria Ocasio-Cortez dhe Laurel Lee, në mbështetje të Aktit DEFIANCE, një projektligj i miratuar nga Senati javën e kaluar. Ky ligj synon t’u japë viktimave të përmbajtjes seksuale të krijuar ose manipuluar me inteligjencë artificiale të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore kundër atyre që e krijojnë, shpërndajnë apo e kërkojnë këtë përmbajtje.
Gjatë fjalimit të saj, Paris Hilton rikujtoi një nga periudhat më të dhimbshme të jetës së saj.
“Kur isha 19 vjeç, një video private dhe personale e imja u nda me të gjithë botën pa pëlqimin tim. Njerëzit e quajtën skandal. Nuk ishte. Ishte abuzim,” u shpreh ajo. Hilton theksoi se në atë kohë nuk ekzistonin ligje që ta mbronin dhe se interneti ishte ende i ri, ashtu si edhe format e mizorisë që ai solli.
Ajo tregoi se askush nuk e kuptoi turpin dhe poshtërimin që përjetoi:
“Më shanë, qeshën me mua dhe më tallën. Dhimbja ime u shndërrua në klikime dhe më pas më thanë të heshtja, të ecja përpara, madje të isha mirënjohëse për vëmendjen. Askush nuk pa panikun, turpin dhe humbjet që përjetova.”
Hilton sqaroi gjithashtu se ajo nuk përfitoi financiarisht nga publikimi i videos. Shpërblimin prej 400 mijë dollarësh që mori nga ish-partneri i saj, Rick Solomon, i cili e kishte publikuar videon, ajo e dhuroi për bamirësi.
“Pata mundësinë ta rimarr historinë time, por shumë të tjerë nuk e kanë këtë mundësi,” tha ajo. “Kur imazhi yt shkelet, ai nuk zhduket – ai jeton brenda teje, por edhe forca jote. Të thuash të vërtetën më ndihmoi të shërohem dhe sot qëndroj këtu pa turp. Unë jam Paris Hilton një grua, një nënë, një e mbijetuar dhe ajo që më ndodhi ishte e gabuar. Do të vazhdoj të flas për të mbrojtur çdo grua, çdo vajzë dhe çdo të mbijetuar, sot dhe në të ardhmen.”
Në librin e saj autobiografik “Paris: The Memoir”, botuar në vitin 2024, Hilton ka zbuluar se ndihej nën presion nga ish-partneri i saj për të realizuar videon, e cila sipas tij do të ishte vetëm për përdorim privat. Ajo shkruan se për të përballuar situatën konsumoi sasi të mëdha alkooli dhe qetësuesish. Në momentin kur videoja u publikua, çifti ishte ndarë prej kohësh.









