omedia “Pallati 176”, shfaqja më e suksesshme dhe më jetëgjatë në historinë e teatrit shqiptar, vazhdon të jetë objekt studimi edhe 40 vite pas premierës së saj.
Studiuesja Anxhela Çikopano e ftuar në emisionin “Ora e Betit” hodhi dritë mbi arsyet e thella të popullaritetit të saj, duke e cilësuar atë një “fenomen social” dhe duke i vënë një etiketim të veçantë personazhit ikonik, Jovan Bregu.
Vënë për herë të parë në skenën e atëhershme të Teatrit Popullor më 18 mars 1986, “Pallati 176” theu çdo rekord, duke u shfaqur plot 500 herë dhe duke u transmetuar qindra herë të tjera në ekranet televizive.
Ky sukses i paimagjinueshëm e ka shndërruar atë në një pjesë të pandashme të kujtesës kolektive kulturore në Shqipëri.
Së fundmi, studiuesja Anxhela Çikopano ka ndërmarrë një studim për të kuptuar se çfarë fshihet pas batutave dhe humorit të kësaj vepre.
E shtyrë nga pyetja se si një shfaqje mund të qëndrojë kaq gjatë në majë të preferencave të publikut, ajo vendosi të analizojë dimensionin social të komedisë.
“Kuptoja që kishte diçka më thellë sesa thjesht batutat dhe ato që duken në sipërfaqe,” shprehet ajo.
Në qendër të studimit të saj qëndron figura komplekse e Jovan Bregut. Sipas analizës së Çikopanos, ky personazh mishëron tiparet e “parazitit të përkryer”. Kjo perspektivë e re synon të zbërthejë arsyet pse publiku lidhet kaq fort me këtë personazh dhe me dinamikat e tjera sociale të paraqitura në shfaqje.
Dekada pas debutimit, “Pallati 176” dëshmon se është më shumë se një komedi; është një pasqyrë e shoqërisë, fenomenet e së cilës vazhdojnë të jenë aktuale dhe objekt analize akademike, duke rikonfirmuar statusin e saj si një kryevepër e qëndrueshme e skenës shqiptare.
“Në fakt kisha një shqetësim që e mbartja me vete. Si mundet një shfaqje të ketë 500 e më shumë shfaqje dhe të jetë gjithmonë e pëlqyer nga publiku?! Nuk është një fenomen që ndodh vazhdimisht.
Kuptoja që kishte diçka më thellë sesa thjesht batutat edhe ato që duken në sipërfaqe. Jo të gjithë besuan kur unë i pyetja, dua të bëj një intervistë në lidhje me pallatin, se po e shoh ndryshe. Fredi besoi, fatmirësisht më ka dhënë një intervistë shumë interesante kur jemi takuar herën e parë. Adelina besoi”, tha ajo.









