Pas akuzave të fundit ndaj Policisë së Shtetit nga deputeti Vangjel Tavo për grabitjet në zonën e Dropullit, por edhe për çështje të kultivimit të kanabisit, është organizuar sot një takim në fshatin Sofratikë me banorë të zonës.
Të pranishëm në takim ishin kryebashkiaku Anesti Deçka, drejtori i Policisë Gjirokastër, Arjanit Arapi dhe shefi i komisariatit Armir Gjikolaj.
Përfaqësuesit e policisë i shprehën mbështetje banorëve dhe i garantuan për nivel më të lartë sigurie për jetën dhe pronën e tyre. Sipas kryebashkiakut Deçka muajt e fundit në Dropull janë regjistruar rreth 50 vjedhje, ndërsa policia ka arrestuar dy persona të dyshuar.
Patrulla “Shqiponja” në Gjirokastër ka shtuar patrullimet në fshatrat e Dropullit, si dhe po bashkëpunon me kryepleqtë e fshatrave për të parandaluar çdo ngjarje kriminale.